Dashamir Shehi: Unë them që ne, deputetët, të mos ngatërrohemi me punët e gjykatës dhe prokurorisë

369
Sigal

Unë gjykoj që kemi dalë jashtë debatit dhe frymës parlamentare. Ambasadorët vijnë nga vende me demokraci të konsoliduar dhe ngjarje të tilla që ndodhin në parlamentin tonë, ata nuk mund t’i imagjinojnë.

Dashamir Shehi, edhe pse deputet i opozitës, në intervistën për “Telegraf, distancohet nga sjellja politike parlamentare e opozitës, në seancën e së enjtes, pasi shprehet se këto çështje nuk janë të politikës, por duhet të gjykojë prokuroria dhe të vendosë gjykata. Deputeti Shehi, pohon se duke u sjellë kështu, atëherë, deputetët kanë dalë jashtë debatit e frymës parlamentare. Pyetjes nëse është rastësi që i njëjti person, Dritan Prifti, shfaqet në çdo video, si në 2010-n, edhe tani, deputeti Shehi thotë se “Po ta shikosh këtë, përtej botës së pistë, të errët të Shqipërisë, janë po ata persona, po në 23 vjetët”.

– Zoti Shehi, si ndiheni që pardje, edhe ambasadorët që ndoqën seancën plenare, u zhgënjyen nga sjellja politike e deputetëve brenda parlamentit?

–  Ne ndihemi keq, jo pse ikën ambasadorët. Unë them për vete që kjo çështje nuk është punë për deputetët. Kjo çështje është për policë, për hetues, për prokurorë. Është detyrë e atyre, ne, si deputetë, nuk kemi pse ngatërrohemi. Ata duhet të japin verdiktin, të japin të drejtën, gjykimin. Unë gjykoj që parlamenti është për debate të mirëfillta politike. Tjetër. Unë nuk them që këtu nuk duhen gjykuar, si të thuash, çështjet e mëdha, ku janë përfshirë deputetët, por, kjo është një vazhdimësi, u bë shumë kohë që ne merremi me këtë punë, me atë punë. Merremi kush është i ati i këtij, kunati i atij, u vranë, nuk u vranë. Unë gjykoj që kemi dalë jashtë  debatit dhe frymës parlamentare. Ambasadorët vijnë nga vende me demokraci të konsoliduar dhe ngjarje të tilla, që ndodhin në parlamentin tonë, ata nuk mund t’i imagjinojnë.

– Me atë sjellje parlamentare, a mund të themi që rezoluta që nënshkruan para 2 muajsh pozita dhe opozita funksionon?

– Nëse e keni fjalën për dekriminalizimin, unë gjykoj që ai komision parlamentar duhet të funksionojë, sepse ndryshe, bëhet lëmsh nga ky debat. Nuk është debat për gjithë publikun, ajo që u bë, sepse nuk ka ndonjë vlerë.

– Sa e besueshme është çështja e videos, që ka paditur deputeti për të ngritur një akuzë kundër kryeparlamentarit?

– Këto çështje nuk janë për mua, janë për drejtësinë. Është një temë që nuk mund ta gjykoj unë. Unë nuk jam ekspert, as i videos dhe as kriminalistike. Unë them që e gjithë kjo histori është një histori e shëmtuar për politikën dhe parlamentin. Dhe unë shpresoj që drejtësia të japë të vërtetën. Ndaj ne nuk duhet të ndërhyjmë, nëse është video e vërtetë, ose jo. Atë ta gjykojnë hetuesit, prokurorët. Ne si deputetë, futim trutë kot, në punë që nuk janë tonat dhe kështu ne nuk bëjmë atë punë, që duhet të bëjmë. Prandaj, them që është e shëmtuar gjithë kjo histori, e pavlerë, diskredituese për politikën shqiptare.

– Kur thoni ju që opozita ka të drejtën e saj të ngrejë pretendimet, kjo e drejtë justifikon edhe kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit, kur nuk ka folur akoma as prokuroria dhe as gjykata?

– Opozita për këtë punë është. Të kërkojë çdo gjë për interesin e vet.

– Po protestat dhe sjellja jo e duhur parlamentare, a mund të justifikojnë kërkesën e opozitës, kur mungon argumenti nga gjykata?

– E drejta e opozitës që të kërkojë zbardhjen e çështjes është një e drejtë e pamohueshme. Nuk është e thënë, që e vërteta është në një krah politik. E vërteta duhet të kërkohet, kjo është e padiskutueshme.

– Kur bëhet fjalë për dekriminalizimin e Kuvendit, duhet ta kërkojmë vetëm te maxhoranca?

– Dekriminalizimi duhet bërë nga të gjitha palët politike. Pa përjashtim, nga të gjitha palët politike. Dhe është një moment shumë i mirë, që të bëjmë dekriminalizimin. Në të kundërt, këta që kanë bërë këto deri më sot, do t’i bëjnë vazhdimisht. Se po vijnë zgjedhjet lokale dhe unë do të shpresoja që ato 61 njësi bashkiake, nuk janë shumë si përpara, të paktën ata 140 kandidatë për kryetarë bashkie, duke llogaritur 2 kandidatë nga palët politike si edhe ata të pavarurit, të jenë realisht personazhe që nuk kanë pasur të bëjnë me gjykata, me prokurori. Ky është një shans i vërtetë. Një shans real për të pretenduar dekriminalizimin politik. Nëqoftëse nuk e bëjnë këtë punë, ata që janë shefat politikë, 3 janë, nuk janë shumë. Kjo histori e dekriminalizimit është një histori bajate. Një histori puro shqiptare, gënjeshtër e llafe të kota, të të dy kampeve politike.

–  Me atë sjellje politike që u demonstrua në Parlament të enjten, a largohemi nga qëllimi që kemi për të hapur negociatat për anëtarësim në BE?

–  Nuk është puna se ne atë sjellje e treguam vetëm të enjten. E keqja është se ne atë sjellje politike e tregojmë të hënë, të martë, të mërkurë, të enjte, të premte, të shtunë, edhe të dielën, se çfarë surrati kemi në të vërtetë. Të ishte vetëm një ditë, do të ishte e keqja më e vogël. Ne, edhe ditën e pushimit i dëftojmë Europës që ne jemi shumë, shumë larg jush.

Në botën e pistë e të errët të Shqipërisë, janë po ata persona, në 23 vjet

– A është e rastësishme, që i njëjti person, Dritan Prifti, shfaqet edhe në videon e parë të 2010-s, edhe në këtë video, tani?

– Mua nuk më intereson tema fare. Mua më intereson një gjë. Njerëz, të cilët karrigen e shtetit e kanë përdorur për të tilla histori, them që këta persona të mos shërbejnë më për funksione shtetërore. Kjo është e rëndësishme. Kjo duhet të jetë e rëndësishme edhe për shqiptarët. Po ta shikosh këtë, përtej botës së pistë, të errët të Shqipërisë, janë po ata persona, po në 23 vjetët.

– Derisa ju thoni që në radhë të parë të flasë prokuroria…

– Gjykata, gjykata, në radhë të parë, sepse gjykata merr vendimet. Prokuroria le të bëjë punën e vet, të hetojë…

– Atëherë, siç pohoni edhe ju vetë, pa marrë vendimin gjykata, a mundet të kërkojë opozita shkarkimin e kryeparlamentarit, derisa nuk kemi as akuzë juridike?

– Unë gjykoj që në politikë, këtu punohet me opinion. Politika është e ndërtuar mbi opinionet. Kur vjen puna e kriminalitetit, duhet të vendosin prokuroritë dhe gjykatat. Një i pafajshëm nga ana penale, nuk është e thënë politikisht është i dënueshëm. Opozita ka të drejtën të ngrejë pretendimet e saj, siç ka të drejtë edhe pala tjetër politike, të mbrojë të drejtën e vet. Nuk është e thënë, që çdo gjë që thotë opozita është ar dhe argjend.

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA