Dashamir Shehi: “Është e hapur mundësia të bashkohemi në PD”

508
Sigal

Deputeti i zgjedhur me listat e PD-së, Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, në intervistën për “Telegraf”, shprehet, se është e hapur mundësia që  disa parti të djathta edhe mund të bashkohen në PD. Ndërkohë, sipas zotit Shehi, edhe mundësia e bashkëpunimit në frontin opozitar me FRD-në apo edhe me AK-në, nëse këto vërtet duan të jenë në opozitë me këtë maxhorancë, është një domosdoshmëri, duke kapërcyer edhe të kaluarën politike. Sipas zotit Shehi, Berisha mbetet memoria e PD-së, do të jetë aktiv në politikë, por PD-ja ka instrumentat e drejtimit, ka edhe kryetarin e saj.

– Zoti Shehi, Kuvendi i ri, i cili u hap dje, çfarë risie dhe veçanti do të ketë në këtë 4 vjeçar?

– Veçantia e parë është se raportet politike janë me diferenca një çikë të madhe. Opozitës sonë i bie të zgjedhë një taktikë tjetër. Nuk është më çështje kartonësh. Në këtë Kuvend, do të përplasen kualitetet. Nëse do të dalim jashtë kësaj skeme të kualiteteve, sigurisht, që opozita do ta ketë të vështirë, meqë jemi pak në numër.

– Deri tani produkti i politikëbërjes ka qenë konfliktualiteti. Raporti i ri i forcave politike në Kuvend, do të ndikojë që të kemi një politikëbërje të re?

– Unë gjykoj që konfliktualiteti, më shumë se derivati i numrave, është rrjedhojë e psikologjisë shqiptare. Kështu që kam frikë që konfliktualiteti do të jetë i lartë. Përtej konfliktualitetit, unë gjykoj që Parlamentit i duhet të prodhojë edhe ide,  alternativa të tjera, për të bërë të mundur emancipimin e vetë politikës.

– Refuzimi i Berishës, që të hapë punimet e Kuvendit të ri, sipas Rregullores, a nuk ka të  bëjë me psikozën e humbësit?

Gjykoj që Berishës nuk i pëlqen të hapë një Kuvend ku e shikon vetveten në pakicë. Kush do ta hap Kuvendin,  është pjesa më e parëndësishme.

– Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se, PD-ja do të bëjë një opozitë të fortë. “Opozitë e fortë” do të thotë, ashpërsi e acarime politike, siç jemi mësuar?

– Opozita është një tërësi uniteti qëndrimesh. Kur bëhet opozitë, bëhet opozitë. Nuk e kuptoj, opozitë e fortë, apo e dobët. Po, sipas ligjeve, mund t’ja vlejë që të jemi bashkë me maxhorancën, po janë edhe ligje, që do kundërshtohen deri në ekstrem. Unë i qëndroj pikëpamjes që opozita të jetë kualitative. Të ketë qëndrim cilësor opozitar. Kualiteti i opozitës, përbën opozitën e fortë.

– Ju, zoti Shehi, do të jeni njehësoheni me politikën   PD-së, apo do të shprehni në momente të caktuara, edhe politikën e LZHK-së?

– Edhe pse jemi zgjedhë me marrëveshje politike me PD-në, kjo nuk e përjashton ekzistencën e partive të tjera. Nga kjo pikëpamje, unë do mbaj qëndrimet e LZHK-së, të cilat në disa raste, janë më opozitare nga të PD-së. Këto janë qëndrime koherente me njëra-tjetrën. Koha do na mësojë që të bëjmë zgjidhjen më të mirë në funksion të frymës opozitare.

Sa reale është sot mundësia e shkrirjes së disa partive të djathta te partia mëmë, PD-ja?

– Kjo varet nga pozicioni që do mbajë PD-ja dhe nga vija politike që do mbahet muajt e parë të opozitës. Siç kemi dalë nga PD-ja, edhe mund të bashkohemi në PD. Do parë se çfarë rruge do të bëjmë bashkërisht. Ne nuk paragjykojmë asgjë.

– Në ditët e fundit të Kuvendit të mëparshëm, u votua Rregullorja e re e Kuvendit. Opozita e atëhershme bëri fjalë për afiksim të rolit të opozitës në Kuvend. Tani, ju, si opozitë, mendoni se duhet riparë kjo Rregullore e Parlamentit?

–  Rregullat e lojës në Parlament duhen riparë të gjitha. Nuk them që ato gabime që bëri PD-ja, ri përsëritë kjo maxhorancë. Rregullat e lojës në Parlament, duhen të jenë të hapura, transparente. T’i japin shanset gjithë palëve, që të kontribuojnë në jetën parlamentare. Unë do shikoja edhe rolin e alternativat e partive të tjera të parlamentit, që të kenë maksimumin që të ketë debat politik, për të patur parlamenti jetë të gjallë. Po të mbyllet kjo punë me biseda kryetarësh, një pjesë e parlamentarizmit ka rënë. Parlamenti ynë, fatkeqësisht, falë një ligji antidemokratik, nuk është shumë demokratik në vetvete. Shumica e deputetëve janë thjesht për vullnetin e kryetarëve. Imagjinoni, që edhe jeta parlamentare, të kondicionohet vetëm nga dëshirat e kryetarëve.

– Për çfarë konkretisht, rregulla duhen riparë për të përmirësuar jetën e parlamentarizmit?

– Ka shumë për të parë, por unë gjykoj që një pjesë e rregullave duhet ndryshuar. Mënyra se si merr vendimet byroja parlamentare, duhet ndryshuar. Kohët e foljes të diskutimeve brenda Kuvendit, duhen ndryshuar për t’i dhënë liri individëve, grupeve më të vogla.

– Votimi i fshehtë, a duhet të rikthehet në Kuvend?

– Unë jam që jo vetëm që duhet të kthehet, por votimi i fshehtë të jetë edhe më i gjerë në përdorim. Heqja e saj ka shkelur shumë nga principet.

– Pajtoheni me atë opinion që thuhet se nga sot fillon edhe fundi i tranzicionit politik në Shqipëri?

Unë mendoj që nuk është kështu, pasi tranzicioni nuk është, siç mendojnë disa,  një stekë që kapërcehet e dilet në anën tjetër. Shoqëria do të jetë në një tranzicion permanent, evolucion politik dhe shoqëror edhe për shumë dekada të tjera. Jemi në periudhë tranzicioni edhe përsa i përket institucioneve.  Tranzicioni do vazhdojë edhe në fushën kushtetuese. Po ta lidhësh mbarimin e tranzicionit me ardhjen në pushtet të së Majtës, mua më duket sikur e zgjatim edhe më shumë idenë. Kjo do ishte kundër gjithë teorive dhe filozofisë demokratike. Kjo do ishte kundër rrymës europianizuese.

– Pranimi i Shqipërisë si kandidate  për në BE a mund të quhet një hap cilësor i demokracisë sonë, apo është një formalitet?

– Unë, sido që të jetë, do ta quaj një hap përpara. Të paktën, një pjesë e burokracisë hiqet nga këmbët e Shqipërisë. Por, po të pranojmë që në Shqipëri, po vjen e Majta dhe Europa na pranon në gjirin e saj, është i  njëjti budallallëk, siç thoshte dje e Djathta, që ne na futën në NATO, sepse ishte e PD-ja në pushtet.

– Nëse FRD-ja dhe AK-ja do të jenë pjesë e opozitës, ju shikoni mundësinë e bashkëpunimit për të krijuar një front unik opozitar, pavarësisht nga e kaluara politike?

– Kjo është rruga e vetme  e opozitarizmit. Të mbledhë të gjitha forcat parlamentare, partitë politike që janë jashtë parlamentit, po të shkojë edhe drejt shoqërisë civile, te bota shkencore, te bota e biznesit, të shkojë drejt  bashkësisë së qytetarit. Kjo mundësi e bën realisht forcë opozitare. Ndryshe, do të reduktohesh thjesht në një grup parlamentar opozitar. Kjo është reduktive shumë. Edhe sherret e së kaluarës kapërcehen, nëse shikohet me koherencë përpara, për të luajtur realisht rolin opozitar. Politika merret me tolerancë dhe me koherencë.

Berisha është memoria e PD-së, por Basha është kryetari i partisë

 Roli  aktiv i Berishës, në grupin parlamentar të PD-së, mund të interpretohet se ai drejton PD-në. Sipas jush, ç’peshë duhet të ketë Berisha tani në politikë?

– Për sa kohë Berisha do të qëndrojë në politikë, do të qëndrojë në mënyra aktive. Por, tani PD-ja i ka instrumentet e veta. Ka kryetarin e ri, ka kryetarin e ri të grupit parlamentar. Nëse këta zotërinj, mbushin karrigen, kjo është plotësisht e mjaftueshme, për të ushtruar pushtetin që kanë dhe për të drejtuar të tjerët. Nuk ka nevojë më për instrumente të tjerë. Instrumentet e tjerë bëjnë pjesë në memorien historike, në lavdinë që ka nevojë çdo institucion. Këtu mbaron funksioni i tyre.