Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme. Lajmi u konfirmua të premten nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një njoftim DASH tha se Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. “Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit amerikan të kryesuar nga zëvendëspresidentja Kamala Harris. Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”,- u tha në njoftimin e DASH.