Damian Gjiknuri: Në përkujtim të 113 vjetorit të Kongresit të Elbasanit, theksoj se Qeveria po ndërmerr reformat më të mira edhe për arsimin

117
Sigal

Në një ceremoi të zhvilluar në përkujtim të 113 vjetorit të Kongresit të Elbasanit ka mbajtur fjalën edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri. Drejtuesi politik i këtij Qarku shprehet se kjo është një ditë simbolike, që nuk duhet harruar dhe ja vlen të kujtohet. “Kjo ditë vlen të kujtohet jo për faktin se ne nuk e dimë se çfarë është Kongresi i Elbasanit apo rëndësinë e tij, por për të dhënë mesazhin që edhe hapat e vegjël në momentet kyçe kanë rëndësi, se gjuha është elementi bazë i një populli. Se kombet mund edhe të zhduken pas rënies së një Perandorie, por e ka mbajtur gjallë pikërisht lëvizja e këtyre njerëzve për të unifikuar gjuhën, për ta formalizuar për ta kthyer në gjuhë të shkruar e për t’u rrethuar pranë gjuhës duke përfaqësuar identitetin. Këto mund të duken si të kaluara, por në fakt arsimi është njësia bazë jo për themelin e kombit, por për mendimin tim edhe të zhvillimit. Elbasani duhet të jetë krenar. Edhe ministrja e arsimit është nga Elbasani për origjinën dhe kontributin që ka në arsim e meritonte që të përfaqësohej në nivelin më të lartë qeveritar dhe Evisi e justifikon çdo ditë punën e saj duke e krenuar Elbasanin.” Ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i PS deklaroi: “Së bashku duke i dhënë prioritet arsimit ne do ta bëjmë Shqipërinë më të mirë dhe sidomos Elbasanin me investime në shkolla dhe në universitet dhe mbi të gjitha me reformat e nevojshme, që po ndërmerr qeveria dhe Ministria e Arsimit për përmirësimin e arsimit në tërësi. Arsimi nuk është godina e shkollës, arsimi është përmbajtja është cilësi, është aftësia e mësimdhënësve tanë dhe mundësitë që jep qeveria edhe për kërkimet shkencore me qëllim që ne vërtet të konkurrojmë me hapin e kohës. Mendoj dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur.”