Damian Gjiknuri : “Kryeministri i 21 janarit, nuk mund të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë”

429
Sigal

Deputeti Damian Gjiknuri, me cilësinë e sekretarit për Çështjet Zgjedhore të PS-së, replikon ndaj deklaratës të PD-së, se nuk do të njohin zgjedhjet, ngaqë janë manipuluar, sipas PD-së, votat në Qarkun e Lezhës. Gjiknuri, duke e cilësuar Berishën si  “Kryeministër  të 21 janarit” i kujton se nuk mund ta mbajë peng Shqipërinë në rrugën europiane që ka zgjedhë. “Sali Berisha- shkruan Gjiknuri-  nëpërmjet autoporlantit të tij të markës “Bogdani” deklaroi se nuk do të njohë zgjedhjet pa transparencën e plotë të tyre.  Me pak fjale, po kërkon, që përtej alibisë së humbjes, për gjoja “vjedhje masive” nga opozita në kurriz të Kryeministrit të 21 Janarit, ta kthejë dhe në betejë politike, në emër të transparencës. Kjo shpjegon qartë dhe pse KQZ-ja ka marr rolin e një kamikazi politik, që në kundërshtim me ligjin ri-numëron zona të tëra zgjedhore, pa asnjë shkak ligjor, duke vonuar nxjerrjen e rezultatit. Nëse Berisha është penduar për pranimin e humbjes, kjo nuk është shqetësim i askujt, përveç i tij. Por, që ky njeri, në ikje e sipër, të vazhdojë të pengojë daljen e rezultatit, ky është një shqetësim popullor.  Më keq akoma, kur ky njeri, me inat primitiv, kërkon që të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë, duke risjellë në qendër të politikës zgjedhjet, që sapo i humbi thellë. Vendi ka prioritete të tjera dhe populli e ka thënë fjalën e tij. Rezultati duhet të dalë sa me shpejt dhe qeveria e re të fillojë punë. Nëse Berisha kërkon vërtet transparencë, le të kërkojë transparencë në Kuvend, gjë që ia mohoi ish-opozitës 4 vite më parë. Me këtë rast i gjen dhe një punë vetes në Kuvend”- përfundon replikën e tij, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri.