Damian Gjiknuri: Energjia duhet të jetë burim bashkëpunimi, ndërlidhjeje e zhvillimi dhe jo të përdoret si mjet presioni politik

150
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka marrë pjesë në panelin për sigurinë energjitike dhe zhvillimet e qëndrueshme mjedisore e ekonomike që u zhvillua në Stamboll. Në një njoftim në rrjetet sociale, Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit ka deklaruar se ndër të tjera në fjalën e tij në këtë panel ka theksuar rëndësinë e diversifikimit të rrugëve të furnizimit me energji për Evropën dhe rëndësinë që merr Korridori i Jugor i gazit ku përfshihet dhe Shqipëria si vend nga ku shtrihet tubacioni i TAP. “Deklarova se investimet në infrastrukturën altenative duke zgjeruar këtë korridor duhet të jenë prioritet dhe Bashkimi Evropian duhet të kontribuojë më shumë për këtë pasi do jetë në interes të tij. Gjithashtu, kriza energjitike e lidhur me luftën në Ukrainë ka nxjerrë në pah edhe nevojën për politika të reja rregullatore në nivel evropian” shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PS në rrjetin social Facebook.  Gjithashtu Damian Gjiknuri shton se “siç provoi kjo krizë, jo gjithçka do t’i lihet ta rregulloje tregu i lirë dhe shteti duhet të luajë një rol më aktiv për sigurinë energjitike e mbrojtjen e konsumatorëve.  Energjia duhet të jetë burim bashkëpunimi, ndërlidhjeje e zhvillimi dhe jo të përdoret si mjet presioni politik.” Konferenca e 4 Ndërkombëtare e “Silk Road Group” u zhvillua në kuadër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Tema kyçe e diskutimit forcimi i lidhjes mes shteteve për të garantuar sigurinë energjitike dhe ushqimore në kohët e krizave.