Dako: Ky mandat i njerëzve në nevojë, zona e lirë ekonomike, fund papunësisë

449
Kandidati socialist Vangjush Dako në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit ka zhvilluar një takim në një nga bizneset e mëdha fason që operon në qytetin bregdetar. Në bashkëbisedim me gratë dhe vajzat e punësuara në këtë biznes Vangjush Dako ka deklaruar se mandati që nis pas zgjedhjeve të 21 qershorit do të jetë mandati që do të ketë në fokus njerëzit dhe shtresat në nevojë. Ai ka shtuar se me ngritjen e qendrave sociale, shtimin e të ardhurave për këto qendra, krijimin e shërbimeve lehtësuese ndaj personave që do të vijnë në këto qendra, ne u ofrojmë shërbimin e duhur shtresave në nevojë. “Të moshuarit pa mbështetje, gratë e dhunuara, fëmijët jetimë do të jenë fokusi i punës tonë të përditshme, pasi si një shtresë me probleme të shumta ato kanë nevojë për mbështejen tone”, tha Dako.
Vangjush Dako ka shtuar se familjet në nevojë do të përfitojnë rritje me trefish të fondit në mbështetje të tyre. “Ne kemi marrë masa për rritjen e fondit që do të jetë për familjet në nevojë dhe ky fond do të jetë tre herë më i madh, në mënyrë që këto familje të kenë për nevojat e tyre tre herë më shumë fonde se sa kishin më parë. Jemi të ndërgjegjshëm se shumë nga këto familje nuk e përballojnë dot jetesën në kushtet në të cilat jetojnë, prandaj kemi menduar që ndihma ndaj tyre të jetë më e lartë dhe më saktë tre herë më e lartë se më parë”, shtoi Dako.
Kandidati i Aleancës për Shqiëpërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se: “aktualisht përballemi me plagën e varfërisë dhe papunësisë dhe për të luftuar këtë gjë duhet të mendojmë për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këtë gjë do ta arrijmë me projektet e përbashkëta që kemi me qeverinë Rama. Një nga këto projekte është zona e lirë ekonomike në Spitallë, ku në një sipërfaqe 480 hekatrë do të ndërtohet një platformë gjigande nga një kompani e huaj, e cila do të ngrejë infrastrukurën për të të prodhuar dhe shitur produkte të ndryshme për tregun e Evropës Perëndimore. Kjo gjë do të bëjë që të hapen mijëra vende pune dhe pas kësaj nuk do të ketë më të papunë në Durrës”, përfundoi fjalën e tij Vangjush Dako.
Sigal