Cunami në Sarandë mbyt socialistët, zëdhënësja e Bashkisë, emërohet nga Kokëdhima kandidate

458
Tronditet qyteti jugor i Sarandës nga një lajm i orëve të fundit, të mbrëmjes së djeshme. Mbrëmë, deri në orët e vona, një grup njerëzish u mblodhën në të njëjtin lokal kafeje, ku kishte selinë edhe Agim Cane, ish sekretari i shtabit elektoral të Kokëdhimës në fushatën e tij zgjedhore dhe nën këshillat e deputetit të zonës, kanë emëruar kandidate për bashkinë e Sarandës, Floriana Koka, ish-zëdhënësen e Bashkisë dhe tani drejtoreshë e komanduar (nga deputeti Kokëdhima) e burimeve njerëzore të Bashkisë Sarandë. Këta njerëz nuk kanë asgjë të përbashkët me bazën e socialistëve të Sarandës, por janë po ata që kishin formuar edhe shtabin elektoral të deputetit Koço Kokëdhima në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku emri i tyre u përlye në skandalin e turpshëm të Agron Canes. Sipas burimeve të mirëinformuara të gazetës “Telegraf”, sapo mbaroi kjo mbledhje dhe u bë i njohur emri i kandidates për kryebashkiake e Sarandës, ka patur reagime shumë të forta nga socialistët, sepse po mbeten të zhgënjyer, pasi shikojnë që kandidatja e komanduar për kryebashkiake e qytetit turistik, nuk gëzon as reputacionin e sicialistëve dhe, ca më pak të të majtëve, por nuk ka as personalitetin që të përballet me kundështarët. Siç pohuan vetë socialistët në Sarandë, zgjedhja e një kandidate si ajo, me profil të ulët, me siguri që është një taktikë e superdeputetit të jugut, Koço Kokëdhima, për të mbajtur nën kontroll Bashkinë e Sarandës. Deputeti Kokëdhima, duke përfituar edhe nga mungesa e krytarit të PS-së, këto ditë, meqë gjendet në vizitë disaditore në Lindjen e Mesme, organizoi këtë takim me njerëzit e tij më të besuar, për të emëruar kandidaturën e preferuar të tij, sepse e dinte që socialistët kanë votuar dhe propozuar për kandidatin e tyre, kryebashkiakun aktual, Stefan Çipa, i cili në këtë 4 vjeçar të mandatit të tij, i ka dhënë Sarandës dhe qytetarëve një prestigj të merituar dhe e ka çuar përpara turizimin, duke e kthyer Sarandën në një qendër turistike të preferuar nga turistë të huaj, por edhe vendas. Socialistët sarandiotë, para disa javësh, në takimin që patën me Kryeministrin Rama i shprehën besimin dhe mbështetjen e tyre për kryebashkiakun aktual dhe morën sigurinë nga vetë kryeministri, që dëshira e tyre do të kihet parasysh, si kriter në përzgjedhjen e kandidatit për kryebashkiak. Mirëpo, tashmë, bëhet e qartë, që gjithçka po manipulohet, kundër dëshirave dhe besimit të tyre, ndaj ata reagojnë e protestojnë shumë, pasi e dinë, që me këtë kandidaturë, Kokëdhima do të ketë tërësisht nën kontrollin e tij, gjithçka në qytetin bregdetar. Socialistët në Sarandë, u shprehën mbrëmë, se me të tilla manipulime dhe kandidatura, e Majta në Bashkinë e Sarandës, e ka të sigurtë humbjen në zgjedhjet e 21 qershorit, sepse njerëzit që janë të zgjënjyer nga qeverisja e deritanishme, e shikojnë që jo vetëm nuk ka reflektim dhe përmirësim, por e keqja bëhet më e madhe, derisa të gjitha pushtetet dhe vemdimarrja e politikës përqëndrohet në një dorë të hekurt. Disa socialistë, madje shprehën edhe se reagimi i tyre, do të jetë i fuqishëm, në ditët që vijojnë; ata do të ngrenë zërin deri te kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama dhe u shprehën, se, nëse kësaj here zëri i tyre nuk do të merret në konsideratë nga PS-ja, atëhere ka shumë mundësi që ata të dalin në këto zgjedhje edhe me një kandidaturë të pavarur. Kjo do të shënonte edhe përçarjen e plotë të socialistëve në Sarandë.
Sigal