Covid-19/ Vasili: Protokolli i paraqitur nga FSHF, puna më e mirë që kam parë nga një institucion shqiptar

385
Sigal

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në emisionin sportiv “Studio Sprint” me moderatorin Gerti Çarçani foli për protokollin higjieno-sanitar, rifillimin e futbollit, çfarë do të bënte ai nëse do të ishte Ministër i Shëndetësisë.

“Dua të jap përgjigje si një njeri që iu ka kushtuar profesionin e tij, më shumë se 37 vite, në luftën kundër pandemive, kështu që përtej modestisë, mund të them se këtë ccështje njoh më së miri. Protokolli i paraqitur nga FSHF, them se është puna më e mirë dhe më artikuluar që kam parë nga një institucion shqiptar. Mund të them, pa e tepruar, se nëse do të kishte një protokoll të tillë pune që do të udhëhiqte të gjitha etapat që ka kaluar Shqipëria gjatë pandemisë, të bazuar nga ana teknike, sigurisht do të kishim një trajtim tjetër të pandemisë, Shqipëria do të ishte hapur javë më parë. Ishte një protokoll pa të meta dhe nuk shoh asgjë që Ministria e Shëndetësisë mund të rregullojë”,- u shpreh Vasili.

Lidhur me masat e marra ai tha se “sigurisht që mund të ishte bërë shumë më para, Shqipëria ka 9 javë e izoluar dhe që përdor termin karantinë. Karantina është 40 ditor, maksimumi, që është përdorur në situata si murtaja dhe gripi spanjoll. Paranojat e Kryeministrit kanë sjellë këto veprime, që kanë sjellë vonesa të pa-justifikueshme. Jo vetëm për futbollin, i cili është shumë i rëndësishëm, por dhe për ekonominë shqiptare, që ka marrë një goditje shumë të rëndë qindra-milionëshe. Janë hapur plagë të thella në ekonominë shqiptare dhe do të duhen shumë vite që të rimbursohen”.

Lidhur me testet, Vasili u shpreh se mund të akreditohen laboratorë që kanë kapacitete për të bërë shumë herë më shumë teste. “Në rast se arrijmë të kuptojmë se normalizimi i jetës është komponent jetik, për mënyrën si jetojmë, pasi njerëzit nuk jetojnë për të ngrënë bukë dhe për të fjetur gjumë”,- u shpreh Vasili.

Për bllokimin e futbollit, Nënkryetari i LSI tha se “së pari, nuk do e kisha mbajtur kurrë Shqipërinë 9 javë të mbyllur pa ditur se ku po shkojmë. Nuk do e mbaja Shqipërinë pa testime, siç po e mbajnë këta dhe të mbyllur. Nëse do të isha para një pune të tillë, do të kisha thënë një “po” të menjëhershme. E vetmja pikë ku do të insistoja, ishte te menaxhimi kontrollues. Do bashkëpunoja me FSHF-në menjëherë”.

Vasili ka folur dhe për pasionin e tij për futbollin. “Nuk mund ta mohoj se jam me Tiranën, që daton më shumë se 50 vite më parë. Besoj se në këtë rast, Tirana e ka treguar në fushë se çfarë diti të bëjë. Ishin javë të paharruara, që do të mbeten në memorien e shumë tifozëve. Sporti duhet të kthehet në TV-të tona, pasi mijëra njerëz e ndjekin me pasion të madh. Rikthimi i futbollit të luajtur është për mua një ngjarje e madhe për atë që është drita e shpresës për një kthim në normalitet me të cilin jemi mësuar të jetojmë”, përfundoi Petrit Vasili.