Covid-19 dhe Integrimi/Apeli i Metës për politikën: Shmangni çdo tension artificial

236
Sigal

Deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

Përshëndetje!

Meqënëse nuk e zhvilluam dot konferencën ditën e premte për shkak të vizitës së Kryeministrit të Kosovës, zotit Hoti, vlerësoj në këtë fillim jave, që të tërheq dhe një herë vëmendjen ndaj të gjithëve për të mos humbur përqendrimin në përballimin më efikas të pandemisë COVID-19.

Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, por për fat të keq dhe të numrit të viktimave, kërkon urgjentisht një reflektim serioz dhe të përgjegjshëm nga të gjithë, nga institucionet shtetërore, nga qeveria, nga opozita, nga sipërmarrjet edhe nga çdo qytetar.

Është tepër e domosdoshme një strategji e re konkrete dhe afatgjatë me protokolle të mirëpërcaktuara për të përballuar dhe për të vënë nën kontroll përhapjen në rritje të kësaj pandemie, që ka rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Gjithashtu, është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv edhe më efikas me vendet fqinje, me ato të rajonit, me vendet e BE-së, si dhe me OBSH-në, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale me qëllim që kjo strategji e re të na mundësojë daljen sa më të sigurt dhe sa më shpejt nga kjo situatë.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë të gjithë qytetarëve të prekur, theksoj edhe një herë rëndësinë për të respektuar me rigorozitet maksimal protokollet shëndetësore dhe masat parandaluese.

Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë mbrojtja e shëndetit të gjithë qytetarëve, por edhe ekonomisë kombëtare, duke patur parasysh se jemi në prag të pikut të sezonit të ri turistik.

Në funksion të këtij qëndrimi kam dekretuar me shpejtësi dhe kam shpallur dy ligje javën e kaluar:

  • Ligjin nr. 76/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 22, datë 27.5.2020 “Për shfuqizimin e aktit normativ nr. 13, datë 2.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga Covid-19”, miratuar me ligjin nr. 34/2020”;

Dhe:

  • Ligjin nr. 77/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 23, datë 03.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar””.

Ky ligj miraton Aktin Normativ të qeverisë që zgjat afatin e vlefshmërisë së pasaportave të të gjithë shtetasve shqiptarë që u përfundon afati brenda vitit 2020, deri në datën 31 dhjetor 2020.

Kjo masë e ndërmarrë mirëpritet, në kushtet kur ka ardhur si rezultat i situatës aktuale të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Megjithatë, është e nevojshme që institucionet shtetërore, veçanërisht Ministria e Brendshme, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Ambasadat tona jashtë, nisur dhe nga situata e pandemisë duhet të angazhohen dhe kryejnë menjëherë njoftimet përkatëse, që shtetasit shqiptarë të mos penalizohen në kufi, nëse konstatohen nga këto autoritete kur ndodhen për udhëtim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me një dokument që i ka kaluar afati.

Për këtë masë lehtësuese të shtetit shqiptar, nga ana e tyre duhen ndërmarrë gjithë veprimet e nevojshme komunikuese me të gjitha shtetet e tjera, besoj dhe me ndihmën tuaj që jeni këtu, pra të mediave, për të informuar shtetasit tanë kudo ku ndodhen.

Po kështu këtë javë që lamë pas kam lëshuar autorizimin për Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme për plotfuqinë për grupin negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e draft-Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin “Përgjigje ndaj Emergjencës COVID 19 në Shqipëri”.

Çdo lloj huamarrje në kushtet e nivelit aktual të borxhit publik, shihet me tepër vëmendje nga ana ime, por duhet të shikohet me vëmendje edhe nga ju.

Megjithatë, kur marrëveshja konkrete lidhet me përgjigjen ndaj emergjencës së krijuar nga pandemia e COVID-19, me bindje kam lëshuar këtë autorizim, shoqëruar me një kërkesë specifike që: Grupi Negociator që përfaqëson Republikën e Shqipërisë në këto negociata, të përmbushë detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke mbajtur gjithnjë në konsideratë nevojën për mbrojtjen e interesit publik.

Njëkohësisht, dua të përshëndes votimin e Kuvendit gjatë javës së kaluar për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Më vjen mirë, pavarësisht se me vonesë, që më në fund kandidatura e 4-ët e propozuar nga Presidenti i Republikës, u vlerësua objektivisht. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj të tre kandidatët e parë, të cilët ishin jashtëzakonisht dinjitozë dhe përfaqësues, por për arsye që nuk ja vlen t’i komentojmë këtu nuk u aprovuan.

Uroj që z. Arben Shehu, ta drejtojë KLSH-në vetëm në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, duke qenë gjithmonë i pavarur, i paanshëm, dhe i pandikueshëm ndaj çdo lloj forme presioni për të mbuluar apo fshehur abuzimet me fondet publike.

Njëkohësisht, përpara se të vija këtu kam pritur në një takim zyrtar zoti Bujar Leskaj, ish-kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit përgjatë 8 viteve të kaluara, duke e falënderuar për punën që ai ka bërë në krye të këtij institucioni dhe për kontributin që ka dhënë në forcimin e tij dhe sidomos në gjithë ato statistika, që janë evidente dhe që kanë të bëjnë më denoncimet për abuzimet me fondet publike.

Njëkohësisht gjatë kësaj jave që lamë pas Institucioni i Presidentit të Republikës, u ka përcjellë zyrtarisht të gjitha institucioneve si:

  • Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
  • Kuvendit të Shqipërisë;
  • Këshillit të Lartë Gjyqësor;
  • Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
  • Gjykatës së Lartë;
  • Avokatit të Popullit;
  • Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
  • Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
  • Komisionerëve Publik;
  • Gjykatës Kushtetuese;

Opinionin e Komisionit të Venecias “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, të përkthyer zyrtarisht në gjuhën shqipe, duke evidentuar çështjet respektive për secilin institucion dhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional midis të gjithëve.

Opinioni i këtij Komisioni, është një dokument që duhet të udhëzojë të gjitha institucionet e drejtësisë.

Rekomandimet e tij afatshkurtra duhet të adresohen menjëherë, ndërsa ato afatgjata, duhet të jenë pikë referimi për veprimtarinë e tyre në vazhdimësi.

Dua të shfrytëzoj mundësinë që edhe publikisht jo vetëm të deklaroj mbështetjen e Presidentit të Republikës për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që përgjatë këtij procesi jetik për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të sigurojë nga të gjithë institucionet përkatëse informacionin e duhur dhe të përmbyllë pa vonesa shqyrtimin e kandidaturave për tre vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe një herë dua të theksoj se politika dhe të gjitha insitucionet kanë prioritet nga më të ndryshmet. Por, dua të tërheq vëmëndjen për dy prioritet kryresore:

Së pari, për të mos nënvlerësuar marrjen e masave edhe më të plota, edhe më rigoroze, edhe më të qarta, për përballimin e pandemisë, pasi mund të kthehet në një kërcënim edhe më të madh në ditët dhe javët që vijnë.

Së dyti, për t’u angazhuar të gjithë për të plotësuar kushet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Të mos harrojmë se në 1 korrik Gjermania ka marrë Presidencën e Bashkimit Europian, dhe kjo është një mundësi shumë e rëndësishme, për të gjithë ne.

Gjatë këtyre 6-muajve të hedhim një hap të rëndësishëm përpara, por për këtë duhet të tregojmë vullnet, vendosmëri në përmbushjen e kushteve sidomos atyre bazike. Çdo tension artificial që shmang vëmendjen nga këty dy çështje, si nga përballimi i pandemisë, qoftë edhe nga përmbushja e kushteve kryesore për mbajtjen e Konferencës të parë ndërqeveritare për çeljen e negociateve do të ishte një përgjegjësi mjaft serioze.

E para, kushton jetë qytetarësh. E dyta, i kushton shumë Shqipërisë përsa i takon realizimit të ëndrrës së përbashkët europiane të të gjithë shqiptarëve.