Çfarë ndodh me KED pas largimit të Dvoranit. Ja kush e merr drejtimin deri në fund të vitit

313
Sigal

Largimi i Ardian Dvoranit lë boshllëqe në dy institucione shumë të rëndësishme të drejtësisë, si Gjykata e Lartë, që mbetet me 3 anëtarë dhe KED, që tashmë do të drejtohet nga zv.kryetarja Vitore Tusha.

Sipas ligjit nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në nenin 227 të tij parashikohet se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është zëvendëskryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e kryetarit, në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”. Kështu, sipas këtij përcaktimi, Vitore Tusha do të drejtojë KED-in deri në fund të këtij viti, kur do të zgjidhet kryetari i ri. Ndërsa për Gjykatën e Lartë, aktualisht janë vetëm 3 anëtarë, Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ervin Pupe, që do të kandidojnë për të marrë drejtimin e kësaj Gjykate.

Gjithashtu, gjatë këtij viti pritet që në këtë Gjykatë të shtohen anëtarët, por do të përzgjidhen vetëm pasi të kenë kaluar procesin e vetingut në Shkallën e Parë.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në Parlament, deputetët e Partisë Socialiste kërkuan një ritëm më të lartë nga kryetarja e KLGJ, Nureda Llagani, në drejtim të plotësimit të vakancave të Gjykatës së Lartë, pasi plotësimi i saj lidhet edhe me procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Pritet që brenda këtij viti të kemi edhe të paktën 5 emra të rinj për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë.