Çfarë fshihet pas ‘monopolit’ të Edi Ramës, mbi koronavirusin në Shqipëri?!

103

Nga Poli Hoxha

Tashmë është e qartë që Edi Rama (jo qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sepse ai e ka marrë personalisht gjithë barrën mbi vete duke u vetëshpallur ‘baba’ i situatës), po e trajton epideminë e koronavirusit në Shqipëri në mënyrë të centralizuar në grushtin e tij personal.

Tingëllon si absurditet, por ai e ka bërë monopol edhe vetë koronavirusin!

Shihini reagimet dhe sjelljen e tij ndaj opozitës kur ajo jep ide dhe zgjidhje reale, për çështje të ndryshme të situatës. Kuptojeni pse ‘tërbohet’ kur një pjesë e mjekëve, intelektualëve, sociologëve dhe e medias paraqesin një realitet tjetër, nga ai që ka shkruar natën vonë në ‘skenarin e luftës’ për ditën që vjen.

Vërejeni ‘monotoninë’ e shifrave të të prekurve nga sëmundja të cilat jepen “me pikatore”, sikur të jenë në dorën e një infermiereje që të jep dozën e caktuar të ilaçit ditor. Kapni kurbën e ‘ëmbël’ të testimeve, të cilat bëhen në mënyrë selektive dhe shumë të ngadaltë. Mësoni se jemi të fundit jo vetëm në rajon, për testime në frynë popullsie; 1 në 10 mijë banorë dhe askush nuk na tregon se përse?!

Mbi të gjitha dëgjoni vetë Edi Ramën, ‘babën tuaj’, i cili deklaron me kompetencë se do të infektohen 60% e gjithë popullatës. Por kuptoni edhe se kjo gjë, duhet të ndodhë ‘me radhë’.

Pra jo kur të të kap virusi, por kur  udhëheqësi ta nxjerrë shifrën në TV!

Ndërkohë që e gjithë bota, edhe si pasojë e shembullit të suksesshëm të aplikuar nga Korea e Jugut, si dhe pas thirrjeve të përditshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (testime, testime, sa më shumë testime) po ecën në këtë rrugë, kryeministri Rama refuzon që të rrisë në mënyrë domethënëse numrin e përditshëm të personave, të cilëve ju bëhen analizat. Më e keqja është se po mban sekret, edhe kapacitet reale që ka vendi ynë për të bërë testime.

Janë me mijëra persona, të cilëve edhe pse paraqesin simptoma tipike të virusit, ndeshen në murin e refuzimit nga autoritetet për t’u bërë analizat. Duket qartë që për këtë strategji ka një ‘urdhër nga lartë’ dhe kjo ndihet në sikletin e mjekëve dhe specialistëve të shëndetit publik, sa herë që pyeten për këtë çështje nëpër studiot televizive.

Shumica e opinionit është duke menduar se kjo po ndodh si pasojë e pamundësisë financiare dhe reale nga ana e qeverisë, për të siguruar tampon të shumtë në këto kohë kur për hir të së vërtetës të gjithë vendet po mendojnë vetëm për veten.

Por medalja ka edhe një anë tjetër; kontroll i epidemisë me celular nga Sureli!

Mjekë të njohur në Itali deklaruan së fundmi, se të gjithë ata persona që konsiderohen rrethi i parë i të konfirmuarve me virus e të cilëve nuk ju bëhet testimi për arsye të ndryshme, mund të konsiderohen pa frikë si “bomba të kurdisura”.

Tipik për vendin tonë mund të merret rasti i të riut Erind Cara, i cili u shfaq ditët e fundit në çdo studio televizive për të treguar eksperiencën e tij me virusin, menjëherë pasi doli nga Spitali Infektiv. Gjatë një interviste ai tregoi se në kohën që mendonte se ishte me grip sezonal apo me ftohje, u mjekua në shtëpi dhe për atë u kujdesën familjarët. Ata po bënin të njëjtën gjë edhe pasi doli nga Spitali Infektiv, ku u trajtua si i sëmurë me koronavirus. Tregoi se familja e tij përbëhej nga katër persona, të cilët nuk kishin shfaqur shenja të virusit.

Por ‘surpriza’ ishte te përgjigjja që dha pasi u pyet; a e kanë bërë testin për COVID-19, familjarët e tu?

Dhe ajo ishte; Jo. Jo sepse sipas institucioneve, ata ende nuk kanë shfaqur simptoma tipike të infektimit!

Pra kemi një rast i cili doli në çdo televizion të mundshëm për të treguar se si u fitua “lufta” te Spitali Infektiv me pacientin Cara, por që në fakt është trajtuar sikur  ai erdhi direkt nga planeti Mars.

Dihet se protokolli i OBSH-së e ka të panegociueshëm kontrollin, bërjen e testit për të gjithë personat që verifikohen si rrethit i parë i kontaktit, (por edhe më tej) me të identifikuarin me sëmundjen në fjalë.

Tani imagjinoni vetë, se çfarë ndodh në gjithë skenën; me të dyshuarit apo ata që kërkojnë që të testohen pasi kanë dyshimet reale, se mund të jenë të prekur.

Në këtë situatë dhe normalisht pas kërkesave të shumta, sektori privat i shëndetësisë në Shqipëri, vendosi që të hyjë në lojë për të bërë testimet. Nuk është ndonjë gjë e re, sepse në gjithë botën kjo po ndodh normalisht.

Pas deklarimeve të një spitali privat fillimisht dhe të tjerëve më pas, se janë gati që të bëjë qindra testime në ditë, fillimisht nisi debati për ‘çmimin e lartë’ dhe a është e drejtë që qytetarët të paguajnë për një test të tillë.

Kur kjo çështja e çmimit (150-200 euro) u shndërrua në ‘revoltë’ në rrjet, pati vetë-ofrime nga këta privatë, të cilët deklaruan se nëse u’a kërkon ministria e Shëndetësisë mund ti bëjnë edhe falas.

Pikërisht në këtë moment ndërhyri ‘Komanda’, ose ‘Monopoli.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore shpërndau ditën e djeshme urgjentisht, një njoftim zyrtarë, sipas të cilit asnjë spital privat në Shqipëri nuk mund të kryejë analiza për diagnostifikimin e COVID-19, pasi i vetmi laborator i certifikuar deri më tani për të bërë analizën që zbulon nëse je i prekur apo jo është në Institutin e Shëndetit Publik.

Pas kësaj edhe Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, nxitoi të dilte nëpër TV dhe ta bënte të qartë, se testimet i bën vetëm laboratori pranë ISHP dhe se çdo iniciativë apo aktivitet tjetër në këtë fushë është i paligjshëm.

Ou?! Që kur spitalet private ku Edi Rama çon për vizita e kurim edhe nënën e tij na qenkan bërë të paaftë, për të diagnostikuar një sëmundje virale edhe pse thonë se i kanë të gjitha kapacitet?!

Kur vjen puna për veten dhe familjarët të gjithë qeveritarët, deputetët, politikanët e biznesmenët, të vetmen alternativë kanë pikërisht privatin; këtu e jashtë vendit sipas ‘mundësive’.

Përse shteti i Ramës i cili deri më tani ‘ka çuar ujë me shumicë në mullirin’ e sektorit privat në Shëndetësi (duke shkatërruar atë shtetërorin); ky kryeministër që e merr si ortak këtë sektor kur vjen puna për koncesione e PPP qindra milion euro, tani në këtë kohë lufte e refuzon dhe e shmang?!

Nëse Edi Rama ka hallin e 150-200 eurove për çdo test (ata thonë se mund ti bëjnë edhe falas, ose me një çmim simbolik), pse nuk e ka të njëjtin shqetësim edhe në kohë paqeje, kur shqiptarët e shkretë përcillen nga spitalet shtetërore te ata privatë, për tu rrjepur mirë e mirë me çmime të çmendura edhe hotelerie; sepse për operacionet dihet?!

E vërteta është se ai nuk do që ti dalë nga kontrolli i tij, tabela e shifrave të të testuarëve, të të prekurve dhe pse jo, edhe i të vdekurve realë nga ky virus. Pra monopoli mbi epideminë.

E vërteta është, që ministrat, deputetët dhe shumica e politikanëve dhe biznesmenëve të mëdhenj e bëjnë testin e COVID-19 sa herë që teshtijnë dhe pikërisht në laboratorin e ISHP. E bëjnë së fundmi me shumicë edhe te privati, ku na qenka e ndaluar.

Në fakt i ndaluar është vetëm publikimi i numrit real të të infektuarëve, mbi planin ditor. Numër ky që kalkulohet nga një rreth i ngushtë piari propagandistik-mjekësor, që ka ngritur kryeministri.

Kushdo që përpiqet që të shohë më thellë e në kuadër të asaj që po bëjnë të gjitha qeveritë në botë duke përfshirë edhe Kosovën e varfër, mund ta kuptojë shumë lehtë se ‘monopoli’ mbi COVID-19, në fakt është një tentativë e rrezikshme për mbajtjen e monopolit të pushtetit në një kohë të pacaktuar.

Ose më saktë, monopol mbi financat e paracaktuara që në kohë paqeje, të cilat nuk mund të preken se ‘i do qejfi’ koronavirusit, opozitës, medias së pa kapur, biznesit që po falimenton e mijëra e mijëra familjeve, të cilave ju nisi muaji Prill pa marrë asgjë nga Marsi që iku!