Çfarë është Shqipëria, me përkufizim?

748
Prof. Artan FUGA
Mirë ne festojmë përvjetorin e Skënderbeut, po Skënderbeu do të na festonte për gjendjen ku kemi ardhur pas 25 vjet betejash kundër osmanëve që kemi bërë gjatë tranzicionit? Vend kapitalist? Ekonomia shqiptare i merr të keqen kapitalizmit, sepse përndryshe do të kishte bursë, aksione masive, transparencë financiare për bizneset, do të kishte të drejta në punë dhe jo punë të zezë. Vend socialist? As ka qenë dhe as është. Se mos është parajsë socializmi!!! Është demokraci? Çfarë demokracie kur deputetët caktohen me listë nga kryetarët e partive!!! As deputeti e di, kush e ka votuar, as elektorati e di, se ku shkoi vota e tij! Këtu të drejtën e votës ta ka marrë ligji, këta llomotisin, jo dhuna, jo kanabisi! Vend ligjor! Këtu plas kanabisi rrugëve e vjen deri te bregu i Lanës, ku ka ligj këtu sikurse duam ne qytetarët! Vend ku elektorati vendos? Këtu të gjitha qeveritë gjatë gjithë historisë kanë qenë vetëm të pakicës me përjashtim të qeverisë së parë demokratike që doli me votim plebishitar gati! Pastaj e mori ferra uratën! Vend evropian! Evropa e Bashkuar as na pranon te dera, po tronditet nga emigrimi për azil politik, ne themi po shkojmë në Evropë. Gjeni një, vetëm një ligj si në BE dhe do të tërhiqem. Vend me shanse të barabarta!!! Mos u tallni këtu duhet të kesh mik, kushëri, parà, ose ndonjë gjë tjetër që të bësh përpara!! Shtet ligjor! Këtu të gjitha i vendosin partitë politike, institucionet janë të politizuara me ligj! Vend i hapur? Më gjeni një grup të huaj artistik që është sot në Shqipëri! Një profesor të huaj që është sot në Shqipëri! Çfarë është pra Shqipëria? Pa emër, pa emër. Apo në rrugën e demokratizimit??? Aha! Po sa vjet, 300 vjet, 500 vjet apo demokratizohemi apo po shkojmë në të kundërt si shoferët që i hipin autostradës në kundër sens! Nuk zgjidhen këto çështje me gjuajtje me çizme, as me gjuajtje në kosh, as me çirrje dhe thirrje. Legjiferoni! Bëni ligje! Bëni platforma politike të drejta! Përndryshe Shqipëria sot rrezikon të bëhet një çmendinë, një vend i izoluar më keq se është bërë, një parcelë kanabisi, një vend tranzit drogash,pa teatër, pa opera, pa akademi, pa muzera, veç një bunkeri të mjerë që të kall datën aty te ish kafe bar sahati, pas bashkisë.
Sigal