Ceremonia e 101- vjetorit, Tahiri: Sfida jonë, reformimi i policisë

426
Sigal

TIRANË-Me rastin e 101- vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë paradites së ditës së djeshme, u organizua ceremonia festive, ku të pranishëm ishin Ministri i Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Artan Didi, Drejtuesi i Misionit PAMECA, z. Giorgio Butini, Drejtuesi i Programit ICITAP Z. Stive Bennet, oficerët ndërlidhës të policive homologe si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z.Artan Didi, në fjalën e mbajtur me rastin e 101- vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, e konsideroi 13 janarin si ditë të shënuar feste e gëzimi për të gjithë punonjësit e policisë, por njëherësh një datë historike dhe një eveniment i rëndësishëm për Policinë dhe Shtetin Shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij, solli në vëmendje edhe rrugën që ka përshkruar Policia e Shtetit në këto 101 vite të jetës së saj.  Këtij fjalimi ju bashkëngjit dhe ai i Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri, i cili inkurajoi forcat e Policisë së Shtetit të vijojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në vend, duke siguruar mbështetjen dhe vullnetin politik për ta çuar deri në fund këtë betejë. Në ceremoninë e mbajtur me rastin e 101-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ministri Tahiri tha se me gjithë debatin e krijuar ditët e fundit, janë qytetarët ata që e vlerësojnë punën e Policisë.