Caka: LSI e para, forca e të rinjve mund të rrëzojë dhe pushtete të konsoliduara

454
Alma Çuka
Deputetja e LSI për Qarkun e Beratit Silva Caka flet për sfidat e saj në këto zgjedhje. Ekonomia dhe arsimi dy pikat kyçe në programin e LSI. Është e bindur se shqiptarët do të dinë të ndajnë në këto zgjedhje ata që punojnë për vete dhe ata që duan integrimin
Silva Caka është e dyta në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Beratit. Del para votuesve të saj për të kërkuar votëbesimin për herë të dytë. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Caka rrëfen për sfidat e saj dhe partisë që përfaqëson në këto zgjedhje, përkushtimin për të bërë më të mirën për qytetarët, situatën aktuale dhe forcën e të rinjve të LSI që sipas saj kanë të gjitha mundësitë për të përmbysur çdo pushtet të konsoliduar në vend. Për Cakën, Situata aktuale është tejet anormale dhe nuk i shërben askujt. Ajo shprehet se dialogut, bashkëpunimit dhe konsensusit, ia kanë zënë vendin arrogance kokëfortësia dhe harbutëria. Ndërkohë është shumë e bindur se në këto zgjedhje ku paritë votojnë më vete dhe jo koalicione, do të matet më së miri forca e tyre, do të shihet qartë se kush janë partitë dhe politikanët që punojnë për vete dhe kush punon për integrimin e vendit. Ekonomia dhe arsimi janë dy pikat kyçe ku është mbështetur programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili sipas Silva Cakës do të shpaloset në ditët në vijim. Për Cakën dhe gjithë kandidatët për deputet të LSI, fushata zyrtare ka nisur. 
Në 18 qershor jeni sërish në garë në qarkun e Beratit, për t’u bërë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Keni nisur ndërkohë zyrtarisht fushatën. Cilat janë armët tuaja më të forta në këtë fushatë?
Është e vërtetë që zyrtarisht fushata zgjedhore ka nisur së fundmi, por për të qenë sinqertë, për përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim puna për rritjen e anëtarësisë dhe simpatizantëve tanë, nuk ndalon asnjëherë. Ne jemi në kontakt të përditshëm me strukturat tona dhe me çdo qytetar, duke zgjidhur problemet e tyre dhe praktikisht për ne, kjo punë nuk mbaron asnjëherë. Mendoj që të qenit pranë tyre, me thjeshtësi dhe përulësi, të zhveshur nga pushteti dhe arroganca e pushtetit, na bën të jemi të suksesshëm. Është pikërisht ky element, të cilin më shumëse armë, do ta konsideroja si faktor suksesi të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një tjetër faktor është edhe programi elektoral që do të prezantojmë së shpejti, ku do të doja të veçoja programin ekonomik dhe atë të arsimit, si dy çështje që jo vetëm shqetësojnë shqiptarët në përditshmërinë e tyre, por sepse vërtet janë trajtuar me përgjegjshmëri, realizëm dhe propozojnë qasje të reja, të cilat tentojnë të zgjidhin problematikën aktuale e të përmirësojnë situatën që ka kapluar të dyja fushat konkrete. Një tjetër faktor suksesi është edhe ekipi i përzgjedhur nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si kandidatura në 12 qarqet e vendit. Kryesia është treguar jashtëzakonisht e kujdesshme në përzgjedhjen e tyre, së pari për të respektuar detyrimet ligjore mbi përfaqësimin gjinor dhe së dyti për të respektuar detyrimin moral (më shumë se ligjor), për figura të pastra, me integritet, tek të cilët qytetarët shqiptarë të mos kenë frikë për të vendosur besimin e tyre. Pastërtia morale, ligjore dhe profesionalizmi i kandidatëve, kanë qenë kryefjala e përzgjedhjes së tyre, pasi Shqipëria duhet ta lërë pas krahëve eksperiencën e hidhur të Parlamentit që mbyllëm, si një nga më të akuzuarit dhe të vërtetuar për prezencën e deputetëve me rekorde kriminale, të cilët sigurisht që nuk e kanë vendin në Parlament.

LSI forcë e parë… e sheh Silva këtë rezultat në këto zgjedhje?
E shoh, në çdo takim që zhvilloj, jo vetëm me qytetarët e Beratit. Besoj se kjo vjen së pari për arsyet që përmenda më sipër dhe jo vetëm: qytetarët shqiptarë tashmë janë ndërgjegjësuar, që Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja forcë politike që punon seriozisht dhe me rezultate konkrete për qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike të vendit tonë. Çdo ditë e më shumë qytetarë u bashkohen takimeve tona, çdo ditë e më shumë të rinj bëhen pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, çdo ditë e më shumë gra gjejnë një shans për përfaqësimin e tyre në LSI dhe këto janë treguesit kryesorë të progresit që njeh kjo forcë politike. Kam bindjen e plotë që kjo mbështetje do të përkthehet në një rezultat të shkëlqyer për Lëvizjen Socialiste për Integrim në këto zgjedhje, ashtu siç kam bindje të plotë që edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, këtë mbështetje, do ta përkthejë në më shumë përgjegjshmëri, në më shumë punë dhe shërbime dhe në një shans të ri për çdo qytetar të vendit tonë.

Si do e cilësonit sfidën që keni përpara deri në 18 qershor?
Mendoj që këto zgjedhje nuk janë sfidë vetëm për një forcë politike; mendoj që këto zgjedhje janë një sfidë e madhe për gjithë klasën politike. Kjo sepse ndodhemi në kushte anormale, të cilat mund të cenojnë rëndë parimet e demokracisë në vend dhe akoma më keq, do të ndikojnë negativisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është e pafalshme për secilin nga ne dhe duhet patjetër që secili të japë kontributin e vet, qoftë edhe minimal, për zgjidhjen e këtij ngërçi, i cili nëse vazhdon, do të shkatërrojë çdo gjë për të cilën është luftuar deri më sot. Prandaj e konsideroj këtë situatë si sfidë, e cila për hir të mirëqenies, paqes dhe stabilitetit të vendit tonë dhe qytetarëve tanë, duhet kaluar e duhet të prodhojë zgjidhje e garanci ligjore dhe institucionale, të cilat nuk do ta lejonin një përsëritje të një situate kaotike të ngjashme, si kjo në të cilën ndodhemi aktualisht.

Sa beson tek forca e të rinjve, me të cilët bashkëpunon çdo ditë për të dyfishuar mbështetësit?
Unë vetë kam qenë shumë e re kur më është besuar kjo përgjegjësi kaq e madhe dhe jam mbrujtur me kulturën e respektit ndaj forcës së të rinjve, si parim themelor edhe i forcës politike që përfaqësoj. Të rinjtë janë ata që shkaktojnë revolucione në shoqëri dhe forca e tyre mund të rrëzojë edhe pushtete të konsoliduara. Personalisht punoj çdo ditë me të rinj, të cilët janë të etur për një të ardhme më të mirë për veten e tyre dhe shikoj që kanë një vullnet të jashtëzakonshëm për të realizuar atë çka është më e mirë për ta. Ajo që më pëlqen është pragmatizmi që i karakterizon në realizimin e ideve dhe ëndrrave të tyre, por më shumë se gjithçka tjetër vlerësoj solidaritetin që tregojnë për kauzat që i prekin drejtpërdrejt dhe këmbëngulja për të gjetur zgjidhje konkrete dhe afatgjata, duke shkuar kështu të sigurt drejt suksesit.

Ku janë plagët më të rënda të qytetarëve dhe çfarë iu premton deputetja votuesve të saj?
Vendi ynë është i pasur në resurse dhe vlera, por tepër i varfër në mundësitë që iu ofrohen qytetarëve, për të bërë një jetë cilësore. Mentaliteti, kushtet ekonomike, punësimi, dhe infrastruktura janë plagët më të mëdha të shoqërisë tonë, të cilat mendoj se duhet ende përkushtim dhe kohë, që të konsiderohen pjesërisht të realizuara. Personalisht e kam parim të mos premtoj gjëra që nuk kam mundësi t’i realizoj, apo që nuk varen nga unë, apo forca politike që përfaqësoj. E konsideroj shumë të rëndësishëm procesin e takimit me njerëzit dhe dëgjimin e problemeve që i shqetësojnë ata, duke vlerësuar së bashku së çfarë mund të zgjidhim dhe çfarë jo. Ajo që unë premtoj me siguri është se duke qenë në Parlament, zëri im nuk do të mungojë kurrë, për të ngritur problemet që kanë qytetarët e qarkut të Beratit.

Ku e gjen forcën Silva Caka?
Forcën e gjej tek të gjithë ata që tregojnë përkushtim ndaj meje, qofshin këta familjarët e mi, apo edhe njerëz me të cilët punoj. Vetë jam natyrë që jepem me shpirt në gjërat që bëj dhe nëse edhe nga pala tjetër shoh të njëjtin përkushtim, atëherë luftoj me të gjitha forcat për të arritur qëllimin e përbashkët. 

Nëse nuk do t’i ishe bashkuar LSI-së, në cilën parti do e gjeje veten?
Unë kam studiuar për juridik dhe kam pasur dëshirë për të vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës, shkollë e cila formon gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Vetë profili dhe statusi i gjyqtarëve e prokurorëve nuk e lejon anëtarësimin në një parti politike, prandaj asnjëherë nuk kam dëshiruar të jem pjesë aktive e një force politike. Anëtarësimi dhe aktivizimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim erdhi natyrshëm, pasi gjeta një forcë politike e cila përmbushte disa elementë që unë i konsideroja si thelbësore për zhvillimin e një shoqërie: integrimin social, politik dhe ekonomik të të rinjve, si dhe respektimin e vlerave dhe kontributit të gruas. Kolegjialiteti në vendimmarrje dhe thjeshtësia e përfaqësuesve të saj, ishin disa element të tjerë, të cilët më bënë ta merrja shumë më seriozisht angazhimin tim në këtë forcë politike. Me pak fjalë, nëse nuk do t’i isha bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim, atëherë besoj se nuk do të isha pjesë e ndonjë force tjetër politike, pasi jo vetëm në vitet kur unë jam përfshirë politikisht, por as në ditët e sotme, kur vetë integrimi në Bashkimin Evropian të imponon një qasje tjetër ndaj të rinjve, grave dhe qytetarëve, nuk gjej një forcë politike e cila t’i përmbushë këto kritere, të cilat mendoj se janë thelbësore për demokratizimin dhe emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë tonë.

Si e sheh situatën aktuale politike dhe regjistrimin e partive më vete në këto zgjedhje?
Situata aktuale politike është një situatë plotësisht kaotike dhe konfliktuale, e cila për fat të keq nuk i shërben askujt. Dialogut, bashkëpunimit dhe konsensusit ia kanë zënë vendin arroganca, kokëfortësia dhe harbutëria, të cilat po na kthejnë mbrapsht në kohë, duke cenuar demokracinë dhe duke mos na lejuar të ndërtojmë një të ardhme të begatë për vendin dhe qytetarët tanë. Personalisht, edhe më parë se të gjendeshim de facto në këtë situatë politike, kam mbështetur idenë që çdo forcë politike duhet ta provojë veten e vetme në zgjedhje përballë qytetarëve. Krijimi i kësaj situate konfliktuale, ma forcoi akoma më shumë këtë bindje, sepse në fund të ditës, qytetarët duhet të dinë të bëjnë dallimin midis atyre forcave politike që punojnë veç për interesat e tyre të ngushta partiake apo personale të lidershipit të tyre dhe atyre që punojnë për stabilitetin e vendit dhe që në pikën e parë të agjendës së tyre kanë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Çdo ditë e më shumë qytetarë u bashkohen takimeve tona, çdo ditë e më shumë të rinj bëhen pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, çdo ditë e më shumë gra gjejnë një shans për përfaqësimin e tyre në LSI dhe këto janë treguesit kryesorë të progresit që njeh kjo forcë politike. Kam bindjen e plotë që kjo mbështetje do të përkthehet në një rezultat të shkëlqyer për Lëvizjen Socialiste për Integrim në këto zgjedhje, ashtu siç kam bindje të plotë që edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, këtë mbështetje, do ta përkthejë në më shumë përgjegjshmëri, në më shumë punë dhe shërbime dhe në një shans të ri për çdo qytetar të vendit tonë.
Anëtarësimi dhe aktivizimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim erdhi natyrshëm, pasi gjeta një forcë politike e cila përmbushte disa elementë që unë i konsideroja si thelbësore për zhvillimin e një shoqërie: integrimin social, politik dhe ekonomik të të rinjve, si dhe respektimin e vlerave dhe kontributit të gruas. Kolegjialiteti në vendimmarrje dhe thjeshtësia e përfaqësuesve të saj, ishin disa element të tjerë, të cilët më bënë ta merrja shumë më seriozisht angazhimin tim në këtë forcë politike
Dialogut, bashkëpunimit dhe konsensusit ia kanë zënë vendin arroganca, kokëfortësia dhe harbutëria, të cilat po na kthejnë mbrapsht në kohë, duke cenuar demokracinë dhe duke mos na lejuar të ndërtojmë një të ardhme të begatë për vendin dhe qytetarët tanë. Personalisht, edhe më parë se të gjendeshim de facto në këtë situatë politike, kam mbështetur idenë që çdo forcë politike duhet ta provojë veten e vetme në zgjedhje përballë qytetarëve.
Sigal