Bylykbashi për Bashën: Kolegjialiteti i tij përfundoi një muaj pas vdekjes së Olldashit

200
Sigal

I ftuar në emisionin “Intervistë”, deputeti Oerd Bylykbashi i komisionit për Rithemelim në PD, tregon për marrëdhëniet e tensionuara të Lulzim Bashës me aleatët e PD-së, dhe mënyrën sesi ai, sipas gjykimit të Bylykbashit, i ka përdorur për qëllimet e tij për pushtet.

Duke filluar nga LSI, e cila duket se dëshiron të hyj në koalicion me pjesën e Rithemelimit. “Ne kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm për një periudhe të gjatë. Basha ishte lideri i opozitës, dhe udhëhoqi pas zgjedhjeve të 2017 një fushate ku nuk la gjë pa bërë kundër LSI-së, sikur të ishin ato kundërshtarët dhe jo PS. Pak muaj më pas, ai i mori në koalicion. Njerëzit duhet të jenë të vërtetë, edhe pse Basha ketë nuk e ka problem”, thotë Bylykbashi.

Ai vijon duke dhënë shembuj, që lidhen edhe me ngjitjen drejt pushtetit në PD të Bashës, që ai cilëson si “ylli në ngjitje që ra shpejt, iu shua edhe bishti”. Për të, “mesa duket Basha ka qenë në keqbesim me aleatët, dhe këtë të gjithë ato kanë shprehur frustrimin për sesi ai është sjellë me ata, një model sui generis i zotit Basha, që nuk duhet ndjekur nga askush”.

Por Bylykbashi tregon se për të e njëjta strategji është përdorur nga Basha edhe brenda Partisë Demokratike.  “Pasi Basha u zgjodh në 2014, kemi një periudhe kolegjiale, por pas largimit nga jeta të zotit Olldashi, që ishte edhe kundërshtari i tij shumë i fortë, ky kolegjialitet u zhduk brenda një muaji. Debatet ishin të fortë, ashtu si dhe kundërshtarët me eksperiencë shumë të madhe, kështu që ai mblidhte ekonomistë, juristë. Diku nga dhjetori 2013, kolegjialiteti ra, dhe më ka bërë përshtypje. Ai nuk kishte më rivalin”.

Debatet gjithsesi vijonin në PD. “Gjatë atij 4-vjeçari brenda grupit parlamentar kishte figura shumë të forta si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Genc Ruli, Majlinda Bregu, ish-ministra edhe më të suksesshëm se Basha në qeverisje. Ai e zgjidhi këtë çështje, me 17 maj iu preu karrierën politike. Mori teorinë e Ramës të ‘xhaketave të vjetra’, por ai është po aq i vjetër, madje xhakete ‘double face’, që përdoret nga të dy krahët.  U zhduk debati në grupin parlamentar, kishte figura të tjera, por ne dëgjonim sesi Basha përdorte aleatët për të suprimuar organet e veta në PD, kjo ndodhi për 1 vit e gjysmë deri sa vendosi që të digjte mandatet pa pyetur askënd, as aleatë as PD,  për hallet e tija, që mesa duket ishin zhvilluar gjatë vitit 2018”.

Bylykabashi sqaron referimin e vitit 2018.  “Nuk jam në gjende të flas për këtë fakt, sepse nuk kanë ndodhur në prezencën time. Por faktet thonë se në vjeshtën e vitit 2018 plasi skandali i financimit në SHBA. Janë 750 mijë euro për një fotografi,  që konsiderohet financim politik në atë vend. Mos harrojmë që ai që ndihmoi Ramën për foto me Obamën për një vlerë 10 herë më të vogël u dënua me burg, aq më keq kur kompania financuese kishte pronar rus. Nuk mund të flas me detaje, por di që ka një hetim në Shqipëri që me fakte të reja mund të rihapet”, thotë ai.