Buxheti i Forcave të Armatosura lë pa trajtim ushtarakët në rezervë. Ja debatet

403
Komisioni i Sigurisë u përfshi në debate për buxhetin e Forcave të Armatosura. Zëvendës/ Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, tha se në buxhet nuk llogaritet zëri për ushtarakët në rezervë, ndërsa deklaroi se Presidenti bën politikë. Por deputeti demokrat, Flamur Noka, tha se Qeveria nuk njeh ligj dhe institucione. Ndërsa kryetari, Spartak Braho, mbështeti Presidentin dhe kërkoi shtim të buxhetit për ushtrinë. Komisioni miratoi dhe buxhetin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për Forcat e Armatosura dhe letra e presidentit Bujar Nishani për këtë çështje solli debate të ashpra në Komisionin e Sigurisë.
Petro Koçi: Në këtë buxhet nuk është llogaritur pjesa e buxhetit që u takon ushtarakëve në rezervë. Besoj kemi të gjitha arsyet për ta llogaritur dhe atë pjesë të buxhetit që shkon rreth 0-10%. Ndërsa lidhur me shqetësimin e Presidentit të Republikës, meqenëse ai është sipas Kushtetutës Komandant, ne në fakt nuk ja kemi llogaritur rrogën si pjesë të buxhetit të Mbrojtjes, por dhe mund t’ia llogaritim në të ardhmen. Ky shpjegim i zëvendës/Ministrit të Mbrojtjes Petro Koçi, dhe ironia që ai i bëri Presidentit, solli debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Flamur Noka: Jeni duke rrezikuar qenien në NATO me këtë lloj arrogance dhe me këtë lloj paturpësie që kjo Qeveri e trajton Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.
Arben Çuko: Presidenti jonë i nderuar është një zgjatim i thjeshtë i Partisë Demokratike.
Flamur Noka: Shteti bandë nuk njeh as rregull, as kod, as etikë.
I vetmi në radhët e mazhorancës që mbështeti shqetësimin e Presidentit ishte kryetari i Komisionit, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho.
Spartak Braho: Me shqetësimin e Presidentit unë bashkohem personalisht, por mënyra e komunikimit nuk është institucionale.
Debatet në Komisionin e Ligjeve u pezulluan për rreth 5 minuta si pasojë e ndërprerjes së energjisë. 
Sigal