Bushati takon ambasadoren Glover: “Zgjedhjet, provë për demokracinë”

410
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, deklaron gjatë një takimi me Ambasadoren Audrey Glover, e cila kryeson Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri, se këto zgjedhje janë një provë litmusi për demokracinë.
Ministri Bushati i shprehu znj. Glover angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për një proces të drejtë e të ndershëm zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar ekspertizën dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, si një ndihmesë të vyer për arritjen e standardeve demokratike.
Ambasadorja Glover shprehu falënderime për ftesën e Qeverisë shqiptare për monitorimin e zgjedhjeve dhe njohu Ministrin Bushati me punën e deritanishme të Misionit Vëzhgues dhe angazhimet deri ditën e zgjedhjeve. Në lidhje me veprimtarinë pas-zgjedhore, Ambasadorja Glover u ndal tek vëmendja që do të kërkojë procesi i numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.
Të dy ndanë mendime dhe mbi karakteristikat e zgjedhjeve vendore dhe rëndësinë që marrin zgjedhjet e 21 qershorit në kushtet e zbatimit për herë të parë të reformës së re territoriale dhe sfidave që e shoqërojnë këtë proces.
Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri e filloi veprimtarinë në vendin tonë më 15 maj 2015. 20 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër do të monitorojnë të gjitha fazat e procesit zgjedhor, veçanërisht regjistrimin e kandidatëve dhe votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe të organeve përkatëse shtetërore, legjislacionin zgjedhor dhe zbatimin e tij, mjedisin mediatik, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve. 
Sigal