Bujar Nishani: Për një gjyqësor që t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë

454
Sigal

Intervistë e Presidentit Bujar Nishani, dhёnё pёr “Zёrin e Amerikёs”

 Gazetarja: Nevoja pёr reformimin e sistemit tё drejtёsisё duket se ka përkrahjen e gjithё spektrit politik nё Shqipёri. Ju keni qenё ministёr i Drejtёsisё, jeni tani Kryetar i KLD-sё, pra, e njihni mirё kёtё sistem. Ku mendoni se duhet tё përqendrohet kjo reformё?

 Presidenti Nishani: Sё pari, ёshtё shumё e rёndёsishme tё ritheksojmë faktin se, reforma nё sistemin e drejtёsisё ёshtё njё nevojё e përhershme, njё proces i pandalshëm, njё proces i cili duhet tё vijojё pёrsa kohё shfaqen sfida tё ndryshme pёrballё këtij sistemi. Nga ana tjetër, duhet tё kuptojmë qё, sistemi i drejtёsisё ёshtё njё pushtet mё vete. Ka tё bёjё me pushtetin gjyqësor, i cili jep drejtёsinё dhe bёn drejtёsinё pёr qytetarin shqiptar nё aspektin e jetёs dhe pronës. Unё kam qenё gjithmonë i bindur qё kjo reformё duhet tё shkojё pёrmes udhëheqjes nga vet komuniteti i gjyqtarёve sepse ata janë njerëzit qё e njohin mirё problematikёn dhe janë njerëzit, tё cilёt kёrkojnё tё angazhohen nё zgjidhjen e kësaj problematike. Ёshtё i njohur fakti qё, nё sistemin e drejtёsisё, nё gjyqësor apo prokurori ka gjyqtarё dhe prokurorё tё aftё; ka gjyqtarё dhe prokurorё tё korruptuar, tё cilёt duhet tё jenё objekt i pandalshëm i investigimit dhe penalizmit. Por, ne duhet tё mbështetemi tek pjesa dërmuese e cila ёshtё njё pjesё qё ёshtё me profesionistё tё mirё, me njerëz me integritet.

 Gazetarja: Ju jeni shprehur se kontrolli politik i gjyqësorit ёshtё forma mё e lartё e korrupsionit, ndёrkohё qё shumica e majtё ju akuzon Ju pёr ndikim politik siç ndodh nё rastin e dy kandidaturave pёr nё Gjykatёn e Lartё, tё cilat u rrëzuan nga Parlamenti. Ju e quajtët kёtё njё ‘truk procedurial’. A mund tё shmangen përplasje tё tilla nё tё ardhmen zoti Nishani?

 Presidenti Nishani: Nё gjykimin tim nuk kemi tё bёjmё me njё përplasje, nuk kemi tё bёjmё me njё ndeshje, por kemi tё bёjmё, pa dyshim, me njё tentativё pёr tё ndёrhyrё nё mёnyrё tё njëanshme nga ana e shumicës qeverisëse. Nё atributet dhe tagrin kushtetues tё Presidentit tё Republikёs nuk ka asnjë fakt apo arsye pёr tё besuar përfshirjen politike apo ‘backgroundin’ politik tё dy kandidatёve tё dërguar nga Presidenti i Republikёs. Jo vetëm qё u respektua nё mёnyrё rigoroze dhe strikte ligji qё vet Parlamenti ka aprovuar dhe jo Presidenti, procedurat krejt tё paanshme nё përzgjedhjen e këtyre kandidatёve, unё po ju bie nё vëmendjen tuaj dhe tёrё opinionit qё po ndjek kёtё zё tё rёndёsishёm tё informacionit qё, shkuan nё Parlament; Kryetari i Gjykatёs sё Apelit tё Krimeve tё Rёnda tё Republikёs pas njё karriere tё gjatё nё gjyqësor dhe pa asnjë akuzё politike gjatё gjithё karrierës sё tij; dhe Kryetari i Gjykatёs sё Apelit tё Durrёsit, njё prej gjykatave mё tё mёdha tё apelit nё vend dhe ai pa asnjë akuzё politike dhe pa asnjë akuzё nё drejtim tё integritetit tё tij moral.

 Gazetarja: Mendoni se reforma duhet tё prek dhe KLD-nё? Kam parasysh kёtu kritikat e bёra nga Komisioni Europian, ku theksohet, pak a shumё, se hapësirat interpretuese nё marrjen e vendimeve pёr emërimet e gjyqtarëve duhen kufizuar pasi kanё përmasa tё gjera.

 Presidenti Nishani: Pa diskutim qё, duhet tё ecet nё atё çka sugjeron raport-progresi dhe qëndrimet e Komisionit Evropian dhe tё Kёshillit tё Europёs dhe natyrisht duhet tё kemi parasysh qё, deklaratat i referohen njё eksperience tё shkuar tё veprimtarisё sё KLD-sё dhe duke nënvizuar, nё vijim, qё hapa tё rёndёsishme drejt korrigjimit tё tyre janë bёrё nё vitin e fundit. Mё lejoni t’ju bie nё vëmendje, gjithashtu, njё fakt tё rёndёsishёm se, nё fund tё fundit, faktet janë ato mbi tё cilat krijohen bindjet reale. Nёse nё tё shkuarёn gjatё, le tё themi, katёr apo pesё viteve tё shkuara kur ligji kërkonte bёrjen e vlerësimit pёr gjyqtarёt, ishte bёrё vlerësimi vetëm pёr gjashtёmbёdhjetё gjyqtarё, ndërsa brenda njё viti KLD ka arritur tё pёrfundojё pёr gati treqind gjyqtarё vlerësimin.