Bujar Nishani: Ligji i plehrave në kundërshim me direktivat evropiane

434
Sigal

Presidenti i Republikës
kthen në Kuvend ligjin e mbetjeve të rrezikshme

Gazeta Telegraf/

Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani ktheu dje për rishqyrtim në Kuvend disa shtesa dhe
ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, pasi bie ndesh me
Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e
Shqipërisë. Ashtu sikurse pritej kreu i shtetit refuzoi te dekretojë ligjin, që
rilejon importin e mbetjeve të ngurta jo të rrezikshme, duke argumentuar se
është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC, sipas së cilës çdo shtet duhet
të synojë të menaxhojë mbetjet e veta, sa më afër burimit të prodhimit. Pra,
nuk ekziston asnjë detyrim që Shqipëria të importojë mbetje jo të rrezikshme
nga shtete të tjera. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që
duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të
thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo
subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet
lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi
nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më
tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që
prodhohen brenda territorit tonë, argumenton presidenti ne dekret. Po ashtu,
sipas tij, ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, e cila përcakton se:
‘shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të
nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe
ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’. Lejimi i
importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në
raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të
pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.
Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra
dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm,
energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm
vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund
të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara, nenvizon Nishani. Po ashtu, Kreu i
shtetit shpreh rezerva dhe për proceduren e votimit te ketij ligji në parlament
me 22 shtator, me votat e vetëm 63 deputetëve të Kuvendit, gjë që, sipas
Nishanit, vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e këtij Ligji, për të
cilin duhet të kishte një bashkëvendimmarrje nga publiku.