Bujar Nishani: Kroacia, një partner i rëndësishëm dhe model në rrugëtimin europian

425
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Josip Leko, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Konferencës së XII të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane. Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentari Leko shprehën kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe diskutuan për një gamë të gjerë mundësish për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, duke përfshirë veçanërisht fusha të tilla si turizmi, energjetika, bujqësia, ambienti dhe teknologjia. Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për rritjen e ndërveprimit midis dy shteteve tona në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të Nismës Adriatiko-Joniane, zbatimin e Projektit TAP dhe Autostradën Adriatiko-Joniane dhe integrimit evropian. Kreu i Shtetit dhe Kryeparlamentari Leko u ndalën gjithashtu edhe tek zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë mendimin se Kroacia dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë konsultimet dhe kontaktet e shpeshta për shkëmbimin e mendimeve në të gjitha nivelet për çështje të ndryshme në interes të vendeve tona, rajonit dhe më gjerë. Në këtë frymë, Presidenti shprehu besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në qershor të këtij viti, falënderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe theksoi se, Kroacia mbetet një partner shume i rëndësishëm dhe model në rrugëtimin evropian, ndërsa vlerësoi qasjen rajonale, veçanërisht ndaj Kosovës, si një kontribut të vyer për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë. Nga ana e tij, Kryeparlamentari Leko nënvizoi se, Kroacia mbështet integrimin e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha nismat rajonale, duke shtuar se, vendi i tij ka qenë dhe mbetet në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, bazuar në arritjet e mëdha dhe përkushtimin në reforma.