Bruksel, Basha takon kreun e PPE Daul: Do t’i kërkojmë KE-së hetime

503
Sigal

BRUKSEL– Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Europiane (PPE), Joseph Daul. Ky i fundit, pasi u njoh me shqetësimet e Bashës, ka bërë të ditur se do t‘i kërkojë Komisionit Europian të zhvillojë hetime për dhunën e ushtruar brenda Parlamentit.

“Unë shoh fakte shqetësuese. Ne do të kemi së shpejti një Komision të ri Europian. Ne do t’i kërkojmë Komisionit Europian të zhvillojë hetime të thella për sjelljet në Kuvendin e Shqipërisë, sepse duke parë atë që po ndodh në Parlament, dhe me disa persona që janë në qeveri, ngrihen shumë pikëpyetje.”- deklaroi Daul për mediat.

Presidenti i PPE ka vendosur të qëndrojë në krahë dhe ti njohë si të drejta pretendimet e opozitës. Daul, gjithashtu, i premtoi Bashës se çështjet e ngritura prej tij do t’i përçojë në nivel europian dhe se “nëse në gjirin e Kuvendit nuk respketohen të drejtat themelore dhe sistemi i drejtësisë, atëherë nuk i’a vlen që të qëndrosh në Parlament”.

Daul, përveçëse u bë palë me pretendimet dhe bojkotin disa mujor të opozitës parlamentare, gjithashtu shprehet dhe mbi zotin Rama. Ky i fundit, sipas kreut të PPE, duhet të kishte treguar i pari shembullin e respektimit të së drejtës dhe të drejtësisë.

“Unë e njoh zotin Rama. Kemi pasur rastin të bisedojmë gjatë me të në një takim në Strasbourg për çështjen e numërimit opo jo të kutive të votimit. Eshtë zoti Rama që duhet të kishte treguar i pari shembullin e respektimit të së drejtës dhe të drejtësisë.”- u shpreh pas takimit me kreun e PD, Presidenti i PPE Joseph Daul.