Britania e Madhe apel “Rilindjes”: Mos prekni “5 qershorin”!

216
Sigal

Ambasadori britanik Duncan Norman i bashkohet thirrjeve të SHBA-ve dhe BE-së duke paralajmëruar mazhorancën në pushtet se ccdo ndryshim duhet të ketë marrveshjen me opozitën. Ndërkombëtarët dhe Britania nuk do të pranojnë të cënohet konsensusi i 5 qershorit

Pas qëndrimeve arrogante të mazhorancës për Reformën Zgjedhore, që të mos respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, e arritur nën kujdesarinë e ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë, tashmë, të gjithë ndërkombëtarët, qoftë ambasadorët e akredituar në Tiranë, por edhe udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Europian dhe Bundestagu gjerman i bëjnë thirrje mazhorancës “rilindase”, që të respektojë konsensusin e Këshillit Politik, që Kodi i Ri Zgjedhor të miratohet nga Kuvendi, në përputhje me marrëveshje edhe me opozitën, e cila këmbëngul për ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e listave 100 %.

Ambasadori britanik Norman: Do të doja që partitë të negocionin në mirëbesim

Prania diplomatike në vend vijon që të bëjë thirrje mazhorancës që Këshilli Politik të bjerë dakord për ndryshimet kushtetuese, listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore, nëpërmjet konsensusit, duke mos prekur atë që u vendos në 5 qershor. Ambasadori britanik, Duncan Norman shprehu dëshirën që partitë të negocionin në mirëbesim për ndryshimet e rregullave të lojës,  teksa tha se ndërkombëtarët mbështesin ‘5 qershorin’. Sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve kundër krimit, ambasadori Norman tha se qeveria britanike punon fort me qeverinë shqiptare,  për të luftuar krimin e organizuar,  që vazhdon të jetë një sfidë e madhe dhe ajo që ndodh në dy vendet ndikon. Ambasadori britanik, Duncan Norman:  “Jemi duke diskutuar mbi ndryshimet e rregullave të lojës e nëse partitë politike janë dakord me këto ndryshime. Shqipëria ka një histori të gjatë rrugëtimi për gjetjen e konsensusit  të reformës zgjedhore dhe shpresoj që në vijim të shohim këtë consensus  të realizohet. Do të doja që partitë të negocionin në mirëbesim. Ndërkombëtarët i mbështesin fuqimisht marrëveshjen e 5 qershorit për të cilën punuam për një kohë të gjatë por u takon partive nëse ata duan të kalojnë përtej asaj marrëveshjeje dhe koha është e shkurtër ndaj është e rëndësishme të gjendet një marrëveshje sa më parë. Çdo vend ka një sistem të ndryshëm për zgjedhje dhe çdo sistem ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Nuk i takon një ambasadori të huaj dhe ndërkombëtarëve të thotë cili do të ishte sistemi me i përshtatshëm për Shqipërinë. Na duhet një punë e përbashkët nëse duam ta luftojmë krimin e organizuar. Britania e mbështet fort anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe reformat që ajo duhet të ndërmarrë.”