Braktisja e “Rilindjes” nga socialistët shkak i sulmeve të Ramës ndaj Metës

364
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Kastriot Islami: Rama e ka të qartë nga sondazhet se humbja e zgjedhjeve është e thellë, çka do të thotë edhe fillim i hetimeve për zullumet 20-vjeçare. Socialistët e ndershëm nuk mundet të keqpërdoren më tej për të mbajtur në pushtet sektin e rrezikshëm të Rilindjes. Meta ka rezultuar një “kockë” e fortë që i ka mbetur në grykë Ramës, i cili për pushtetin e tij personal po luan me fqinjët kundër interesave kombëtare.

 Braktisja e ‘Rilindjes’ dhe “emigrimi” i socialistëve te LSI, janë arsyet themelore të sulmeve të Ramës ndaj Metës

 

Intervistoi: Engjëll Musai

                    Drejtori i Telegraf

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish- Kryetar i Parlamentit në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” skanon marrëdhëniet kryeministër Rama- Presidenti i Republikës Meta. Prof. Islami, i cili i njeh shumë mirë Ramën dhe Metën, pohon se shkaku i vërtetë i sulmeve të kryeministrit Rama ndaj Presidentit Meta nuk janë institucionale, nuk janë parimore, nuk janë në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve, por është frika e Ramës nga braktisja masive që i bëjnë socialistët e ndershëm ‘Rilindjes’ dhe “emigrimi” i tyre tek LSI. Prof. Islami argumenton se kryeministri Rama kërkon të dhunojë zgjedhjet e 25 prillit 2021 me qëllim që të garantojë të bëhet President, për t’i shpëtuar ndëshkimit, për zullumet 20- vjeçare që ka bërë. Prof. Islami thekson se “Rama ka luajtur një lojë të rrezikshme me disa “miq” rajonalë kundër interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe në të gjithë këto përpjekje, Meta ka rezultuar një “kockë”e fortë që i ka mbetur në grykë”.

Rama ka luajtur një lojë të rrezikshme me disa “miq” rajonalë kundër interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe në të gjithë këto përpjekje, Meta ka rezultuar një “kockë”e fortë që i ka mbetur në grykë

Prof. Islami, nëse vëmë re, kryeministri Rama asnjëherë tani, nuk u është drejtuar socialistëve, për të kërkuar votat e tyre për mandatin e tretë, por votat dhe mandatet e deputetëve ua kërkon kupolës së tij, me të cilët ka bashkëqeverisur. Përse?  Po sulmi ndaj Metës çfarë lidhje mund të ketë me sigurimin e mandatit të tretë të Ramës?

– Më së fundmi socialistët e vërtetë e të ndershëm duket e kanë braktisur masivisht ‘Rilindjen’ dhe Ramën, pra nuk kanë pranuar më të keqpërdoren e mashtrohen nga Rama për të mbajtur në pushtet sektin e rrezikshëm të ‘Rilindjes’ dhe për të shndërruar në milionerë shumë nga oligarkët dhe hajdutët e sektit të miliarderit Rama. Për më tepër një pjesë e tyre e madhe janë shfaqur të gatshëm ti bashkohen LSI-së. Kjo e ka tërbuar në ekstrem Ramën. Duket se kjo  është arsyeja themelore e sulmit rrugaçëror të Ramës ndaj Metës. Të gjithë arsyet e tjera janë periferike, ndërkohë që retorika makiavelike dhe me fjalor rruge është maska përmes së cilës Rama po tenton të fshehë thelbin e tërbimit të tij që lidhet me humbjen e thellë që do t’i shkaktonte braktisja e socialistëve të ndershëm, por edhe bashkimi i tyre eventual me LSI-në. Sepse kjo në terma elektorale do të thoshte “rrudhje e madhe” e ‘Rilindjes’ dhe “zgjerim” me të njëjtën masë i LSI-së.

A është parimore në këndvështrimin e balancimit të pushteteve, sulmet e kryeministrit Rama ndaj Ilir Metës, me kurorëzimin e Komisionit Hetimor Parlamenter për shkarkimin e tij nga Presidenca? 

– Që në fillim, më duhet t’ju bëj të qartë të gjithëve, se sulmet e Ramës s’kanë asnjë lidhje me “luftën e ashpër” institucionale mes Kryeministrit e Presidentit, dhe as betejën personale mes Edi Ramës e Ilir Metës, siç përpiqet media pranë Ramës të paraqesë sulmet rrugaçërore e të paprecedenta të Ramës ndaj Presidentit. Për më tepër Ilir Meta ka qëndruar me vendosmëri e qetësi, duke artikuluar qëndrime parimore e duke mbrojtur dinjitetin e postit të Presidentit dhe duke mos iu përgjigjur simetrikisht e drejtpërdrejtë sulmeve rrugaçërore. Natyrisht duke mos iu shmangur aspak këtyre sulmeve të turpshme, por duke i qëndruar  atyre përballë me vendosmëri e seriozitet institucional, në mbrojtje të Kushtetutës e shtetit ligjor, e më konkretisht të institucionit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Socialistët e vërtetë e të ndershëm duket e kanë braktisur masivisht ‘Rilindjen’ dhe Ramën, pra nuk kanë pranuar më të keqpërdoren e mashtrohen nga Rama për të mbajtur në pushtet sektin e rrezikshëm të ‘Rilindjes’

-Çfarë qëllimi elektoral synon të realizojë Rama përmes sulmit ndaj Metës?

– Qytetarët duhet të mos bien prehë e mashtrimeve të zyrës së dizinformimit të Ramës e të fake medias së tij që paguhen me paratë e pista të korrupsionit e të trafiqeve. Madje kjo duhet të shërbejë për tu  bindur se sulmet e njënashme rrugacërore i përkasin vetëm Edi Ramës,  i cili përmes një strategjie tinzare e gebelsiane po tenton të arrijë një qëllim të mirëpërcaktuar elektoral. Më konkretisht Rama po sulmon Metën për të mashtruar për herë të tretë socialistët e ndershëm, vota e të cilëve e ka sjellë dhe e mban në pushtet. Kjo strategji famëkeqe e dështake, është hartuar për të siguruar ruajtjen e pushtetit të tij personal apo në rastin më të keq për të garantuar mosndëshkimin e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Pse Rama e ka kaq frikë Ilir Metën, (do të thosha edhe më shumë se kryetarin e Opozitës) kur ai ka në duart e tij të gjitha pushtetet e tjera, përveç Presidencës?  A është kjo arsyeja kryesore e sulmeve të tij?

– Rama e ka shumë frikë Ilir Metën, duke e konsideruar atë një “kafshë politike”, i cili siç e ka mbështetur edhe e ka penguar disa herë të marrë pushtetin, por që edhe mund ti presë kthetrat me të cilat Rama ka grabitur e mban në mënyrë autoritare e korruptive pushtetin. Por kjo s’është arsyeja kryesore dhe direkte e sulmit rrugacëror  të Ramës e zagarëve të tij…

– Po mos vallë Rama e konsideron Metën të vetmin armik që e pengon të marrë përsëri i vetëm timonin apo tepsinë e pushtetit? A është kjo arsye që shpjegon sulmet e tij të ashpra ndaj Metës?

– Rama e ka konsideruar gjithnjë Metën “(ar)mikun” kryesor të “brendshëm” që përmes mashtrimesh, gënjeshtrash, veprimesh makiavelike tinzare, joshjesh(ofertash) hileqare, e veprimesh të tjera të pandershme, ka tentuar ta (keq)përdorë mbështetjen e tij në ditë të vështira e në ditë të mira. Por as kjo nuk është arsyeja e sulmit sharlatanesk kundër Metës. Sharlatanesk se Rama paralelisht me retorikën publike rrugaçërore e veprimet antikushtetuese për ta shkarkuar Metën apo “rrudhur” kompetencat e tij, thuhet se i ka dërguar Metës oferta perverse e mafioze.

– A ka qenë Meta një pengesë ndaj veprimeve antikombëtare të Ramës? Dhe as është kjo arsyeja themelore që shpjegon sulmet me fjalor rruge të Ramës ndaj Metës?

– Rama ka luajtur një lojë të rrezikshme me disa “miq” rajonalë kundër interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe në të gjithë këto përpjekje, Meta ka rezultuar një “kockë”e fortë që i ka mbetur në grykë, duke demaskuar të gjithë marifetet, manovrat dhe përpjekjet tinzare, i bindur se veprimet antishqiptare të Ramës do të cënonin rëndë  sovranitetin e Shqipërisë e të trojeve shqiptare dhe stabilitetin e rajonit. Por as kjo nuk është një arsye që mund të shpjegojë sulmin e turpshëm të Ramës sepse Rama s’shqetësohet për asnjë nga këto tema pavarësisht se herë pas here luan rolin e “nacionalistit aguridh”. Ndërkohë  në realitet të gjitha marifetet e tentativat e tij gjoja “nacionaliste” por në thelb “antikombëtare”, kanë të bëjnë vetëm me pushtetin e tij personal autoritar e garancinë për mosndëshkimin e tij individual.

Mos vallë Rama kërkon të bëhet vetë President? Dhe a është kjo arsye që e shtyn atë të sulmojë Metën?

– Rama ka zaptuar të gjithë institucionet kushtetuese, dhe i vetmi që i ka mbetur pa vendosur nën kontroll është ai i Presidentit të vendit që mbahet nga Ilir Meta, i cili për më tepër është zgjedhur me votat e PS-së. Por as kjo nuk shpjegon dot sulmet agresive e të paprecedenta të Ramës, sepse ai e ka të qartë se uzurpimi i postit të Presidentit para zgjedhjeve parlamentare është jo vetëm i pamundur, por edhe një “vijë e kuqe” e hequr nga shqiptarët e ndërkombëtarët.  Një veprim dritshkurtër. Pra thënë shkurt, Rama nuk ka asnjë shans ta uzurpojë para zgjedhjeve këtë post pavarësisht propagandës së neveritshme apo marifeteve tinzare.

– A mendoni atëhere se Rama synon postin e Presidentit pas zgjedhjeve të 25 prillit? Dhe në këtë rast a është kjo një arsye e fortë për të shpjeguar sulmet e tij kundër Metës?

– Rama në realitet po tenton, në një nga opsionet shumë probabël, të kapë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, pozicionin e Presidentit, për veten e tij, si të vetmen garanci për t’u mbrojtur nga ndëshkimi. Thënë ndryshe, Rama do të tentojë ta realizojë këtë synim vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe në varësi të konfiguracionit të ardhshëm politik, që ai po përpiqet, përmes manipulimeve elektorale, ta transformojë sipas interesave të tij, në kuptimin që të ketë rol vendimtar në përcaktimin e qeverisjes së ardhshme. Pikërisht këtu fshihet edhe arsyeja kryesore, por e maskuar, e sulmit rrugacëror të Ramës ndërkohë që Meta po lufton fuqimisht kundër manipulimit të zgjedhjeve, por edhe kundër marifeteve të Ramës për ta përfshirë atë në këtë lojë të pistë.

– Përse Rama e synon postin e presidentit pas 25 prillit?

– Rama ka të qartë nga sondazhet se humbja e zgjedhjeve është evidente dhe e thellë. Kjo e vërtetë e shqetëson shumë, sepse humbja e zgjedhjeve për të nuk do të thotë thjesht humbje e karrikes së kryeministrit, por edhe fillimi i hetimeve të zullumeve të tij mbi 20- vjeçare, si dhe eventualisht ndëshkimi i tij e sekuestrimi i pasurive të paligjshme. Kjo gjë e tmerron, aq më tepër sa edhe largimi nga pushteti që e përjeton shumë keq sepse s’është në gjendje të bëjë asgjë tjetër përveçse të “grabisë pasuri publike e ushtrojë në mënyrë arrogante pushtet”. Kjo e ka shtyrë të angazhohet me të gjithë mënyrat e mjetet për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.

– Thuhet se Rama ka sondazhe që e nxjerrin humbës. Përse ndodh kjo? Çfarë po bën Rama që të shmangë rezultatet negative që i rezultojnë nga sondazhet?

– Sondazhet e nxjerrin thellësisht humbës Ramën. Prandaj Rama po përpiqet me të gjithë marifetet, mënyrat dhe mjetet t’i mashtrojë edhe njëherë socialistët e ndershëm, por mesa duket kjo nuk funksionon më ashtu siç Rama mendon. Kjo e ka egërsuar shumë Edi Ramën, sepse ndjen për herë të parë në jetën e tij politike, sesi socialistët e vërtetë e të ndershëm nuk po e “hanë sapunin për djathë”, pra thënë më shkoqur nuk po hanë gënjeshtrat e mashtrimet e tij. Kjo është arsyeja e thellë dhe e vërtetë përse Rama e sulmon egërsisht Metën. Të cilin socialistët e vërtetë e shikojnë si një “alternativë shpëtimi” nga e keqja e madhe që i ka zënë, ndonëse kanë pasur dhe kanë rezerva edhe për Metën apo LSI-në, por që janë shumë shumë më të vogla sesa urrejtja dhe neveria e paimagjinueshme që kanë për Ramën e ‘Rilindjen’.

E ka kuptuar Rama, përse sondazhet i dalin kaq negative? Dhe përse shqiptarët janë zhgënjyer nga qeverisja e tij?

– Rama ka arritur në përfundimin se humbja e madhe e mbështetjes elektorale ka ardhur në pjesën më të madhe nga “zhgënjimi, mërzitja, revolta…” e socialistëve të ndershëm, të cilët ai me ndërgjegje jo vetëm i ka urryer gjithnjë (ata vetë s’e kanë besuar asnjëherë një gjë të tillë, megjithëse gjithnjë e kanë dyshuar),  por edhe i ka keqpërdorur e mashtruar gjatë këtyre tetë vjetëve. Shumica e tyre janë “fanatikë” të PSSH-së dhe e kanë konsideruar gjithnjë atë partinë e tyre të zemrës. Por është hera e parë që ata s’duan më të votojnë për ‘Rilindjen’ që iu ka zaptuar siglën, emrin, godinën e partisë së tyre. Këta socialistë e kanë braktisur masivisht Ramën e sektin e tij, ndërkohë që një pjesë e tyre e madhe janë gati t’i bashkëngjiten LSI-së.  Rama e ka kuptuar, por nuk do ta pranojë se shumica e socialistëve të ndershëm janë revoltuar në ekstrem vetëm nga sjelljet dhe mashtrimet tetëvjecare të Ramës. Dhe nuk ka pasur dhe nuk kanë asnjë arsye tjetër, që t’i detyrojë  ata të heqin mbështetjen ndaj partisë së tyre së “zemrës”.  Këtë rradhë, duket se një pjesë e tyre e madhe janë të vendosur të mos pranojnë asnjë mashtrim të Ramës përveçse largimin e tij e të ‘Rilindjes’.  Dhe mesa duket janë të vendosur të kontribuojnë pa mëdyshje duke ja dhënë votën e tyre LSI ose në rastin më “paqësor” duke abstenuar.  Kjo e ka tërbuar dhe tronditur në ekstrem Ramën që i është sulur turpërisht Metës.

– Përse Rama mendon që duke sulmuar Metën do të zbuste efektet elektorale të braktisjes nga socialistët e ndershëm? A mund t’i pengojë Rama socialistët e ndershëm të shkojnë te LSI?

– Rama së bashku me shpurën e zagarëve të tij kanë nisur sulmin agresiv kundër Metës sepse kështu mendojnë mund të zbusë revoltën e socialistëve të vërtetë e të ndershëm, dhe të pengojë braktisjen prej tyre të ‘Rilindjes’ apo bashkimin e një pjesë të tyre të madhe me LSI-në. Përmes këtyre sulmeve rrugaçërore, Rama mendon se do të zbuste efektin elektoral të kësaj braktisje të madhe duke penguar votimin e tyre për LSI dhe duke pranuar in ekstremis abstenimin e tyre.  Rama në këto rrethana ka ndërtuar skemën e mashtrimeve të reja për tre segmentet e socialistëve të revoltuar. Të trija këto skema kanë të përbashkët sulmin agresiv kundër Metës, sepse gabimisht gjykon se pasojat e keqtrajtimit të socialistëve të ndershëm mund t’i rikuperojë apo kompensojë duke ngritur një “murë të lartë të urrejtjes” së socialistëve ndaj Metës, me idenë makiavelike për t’i penguar socialistët e revoltuar të “emigrojnë” drejt LSI-së, duke i kërcënuar “të qëndrojnë brenda murit të lartë rrethues” pas asnjë shans largohen prej getos së tij ‘rilindase’. Rama e shikon këtë rradhë Metën si “hinkën” më efikase për të grumbulluar rrjedhjen e socialistëve të egërsuar me Ramën dhe sektin e pabesë të ‘Rilindjes’, të cilëve Rama dhe sekti i ‘Rilindjes’ iu ka keqpërdorur votën dhe përmes së cilës janë pasuruar oligarkia rilindase dhe kupola e sektit, të cilët për më tepër i kanë urryer e shpërfillur gjatë katër vjetëve socialistët e vërtetë dhe vetëm gjatë një muaji para zgjedhjeve kanë tentuar t’i mashtrojnë duke ju shitur “sapunin për djathë” por edhe duke i kërcënuar.

– Rama ka bërë disa afrime e emërime ish-socialistësh në zonat bastion të PS-së apo në ndëmarrrje të rëndësishme të vendit ? Si mendoni përse po i kryen Rama këto veprime?

– Rama për të mashtruar për herë të tretë socialistët e vërtetë, po përdor edhe disa ish-socialistë dredharakë, të mirënjohur si klientelistë, e deri gjoja kritikë të ashpër të Ramës, për hir të interesave të tyre personale, por që janë shfaqur të gatshëm të ulin kurrizin e të përdoren përsëri nga Rama për të mashtruar socialistët e thjeshtë, duke propaganduar se “Rama këtë rradhë e do pushtetin për socialistët e vërtetë” dhe “duhet ta mbështesim”. Rama për t’i bërë të besueshëm këta socialistë dredharakë, i ka vendosur në drejtimin e strukturave vendore të PSSH për të  mashtruar socialistët e ndershëm. Kurse në krye të ndërmarrjeve kryesore të vendit Rama ka vendosur ish-drejtues socialistë të korruptuar, thjesht për të krijuar përshtypjen e “punësimit” të familjarëve të socialistëve të revoltuar.

– Sa shanse ka që kjo mënyrë mashtrimi të jetë funksionale?

– Mendoj se shanset e suksesit të këtyre manovrave janë pothuajse zero. Kjo gënjeshtër e Ramës do të zgjasë deri në 25 prill 2021. Thënë më troç, këta socialistë dredharakë nga Rama në postet drejtuese nuk do të mund të jenë më në krye të tyre pas 26 prill 2021, sepse edhe vetë Rama do t’i shkarkonte, ndërkohë që Rama pas kësaj date, i çoroditur nga humbja e paimagjinueshme, do të jetë në kërkim të shpëtimit nga ndëshkimi. Por edhe të gjithë ata socialistë naivë që do të “pranonin të hanin sapunin për djathë” për herë të tretë, do të humbisnin në çdo rast “përfitimet” e tyre pas 26 prillit 2021.

 – Faleminderit!

Rama ka arritur në përfundimin se humbja e madhe e mbështetjes elektorale ka ardhur në pjesën më të madhe nga “zhgënjimi, mërzitja, revolta…” e socialistëve të ndershëm, të cilët ai me ndërgjegje  vetëm i ka urryer gjithnjë