Braimllari: Unaza e Re vërtetoi hajdutërinë e Edi Ramës dhe ministrave të tij

458
Sigal

Fjala e deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari në protestën e Unazës së Re 

Edi Rama është një kryeministër që ka varfëruar Shqipërinë. Politika e tij e drogës, e trafikut, e pastrimit të parave është në dëm të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Ndaj ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë me 16 shkurt, sepse 16 shkurti nuk është një protestë politike, por është një protestë qytetare. Është protesta juaj. Është protesta e banorëve të Unazës së Re për të drejtën e pronës. Është protesta e banorëve të Bulevardit të Ri. Është protesta e banorëve të Shkozës. Është protesta e biznesit të mesëm që e ka shkatërruar, e ka mbytur në taksa dhe në gjoba. Është protesta e minatorëve. Është protesta e naftëtarëve. Është protesta e studentëve, që i ka sjellë një sistem arsimor klientelist, ku prindërit e tyre harxhojnë para pa fund për të siguruar arsimimin e tyre kur ndërkohë nuk kanë bukë të hanë. Ndaj ne duhet të jemi të gjithë bashkë, sepse ju keni fituar betejën e parë. Beteja juaj e parë çorri maskën korruptive të Edi Ramës. Dhe këtë mos e harroni, ju jeni fitimtarët. Sepse ju ishit me të drejtën, ju fituat dhe çorrët maskën e Edi Ramës.

E mbani mend shumë mirë se çfarë ju thoshte Edi Rama dy javët e para të protestës. Ju thoshte që nuk kam para për t’iu dëmshpërblyer. Bënte dhe ironi ky kryeministri i madh. Thoshte nuk kam para sepse paratë tuaja do i çoj për kopshte, për çerdhe, për shkolla dhe për të investuar në zonë. Por çfarë ndodhi 2 javë më pas? Këto para nuk shkonin për shërbim publik po shkonin drejtpërdrejtë në xhepin e Edi Ramës. Dhe ishin plot 18 milion që shkonin në xhepin e Edi Ramës, në kompani offshore. Ndaj ju jeni fitimtarë, sepse ne atë çka kemi thënë çdo ditë në këtë kohë opozite ju e keni vërtetuar me fakte konkrete. E keni nxjerrë Edi Ramën ashtu siç është në të vërtetë përpara çdo shqiptari, trafikant dhe te korruptuar.