Braçe sulmon deputetin gjerman Krichbaum

665
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kritikuar deputetin gjerman, Gunther Krichbaum, lidhur me deklaratat e tij se është e parakohshme hapja e negociatave me Shqipërinë. Pa e përmendur emrin e Krichbaum, por referuar deklaratave të deputetit gjerman, Braçe ka renditur edhe kritikat. “Lulzim Basha po përpiqet të të bëj të njohur këtu dhe, po bën mirë. Po të jep mundësinë të flasësh për Shqipërinë. Ti po e bën; Lexova të kesh thënë se ‘nuk është koha për Shqipërinë të hapë negociatat”!! Merr pyetje ti deputet? Duhet të jesh i hapur apo jo? Ti je evropian dhe duhet ta kesh këtë standard. Ateherë, kur ishte koha për Shqipërinë deputet, në janar 2011 kur i mbrojturi prej teje-Lulzim Basha, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, vrau katër kundërshtarë në mes të bulevardit? Kur ishte koha për Shqipërinë deputet, në shkurt 2011 e më pas kur Drejtësia e kapur prej të mbrojturit prej teje-Lulzim Basha, betonoi cilësisht pandëshkueshmërinë e ngritur në sistem, mënyrë qeverisje, dhunë mbi të pambrojturit e çfarë tjetër të duash, me rastin më ekstrem që një qeveri mund të ndërmarrë-vrasjen e protestuesve të paqtë në mes të bulevardit?”, shprehet Braçe. Ai rendit të tjera pyetje për kreun e Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestag. “Kur ishte koha për Shqipërinë deputet, në shtator 2009 e tutje kur i mbrojturi prej teje-Lulzim Basha, mori vendimin politik për të mos ndërhyrë me forcën e ligjit në Lazarat-fshatin ku ishin instaluar, jo vetëm ‘7 grosistët e mëdhenj të drogës’, por mbi 48 banda kriminale nga e gjithë Shqipëria, pajisur me logjistikën moderne të 7 laboratorëve për përpunimin e drogës deri në vaj e çokollatë, duke bërë njësh qeverinë me krimin, koordinuar vendimmarrjen me ta, në një akt unik kriminal në nivelin më të lartë të hierarkisë së shtetit?”, shprehet Braçe në një seri pyetjesh për Krichbaum. “Këtu jemi deputet; Ti me qëndrimin tënd, ne me punën tonë-si shqiptarë gjithnjë. Ndjese që po ta them deputet, por nuk ke parimësi në gjithë çfarë po thua për Shqipërinë tonë. Bën politikë, propagandë, por kaq”, thotë Braçe.
Sigal