Bomba për raportin e KE-së/ Brukseli dhe grupi parlamentar i CDU-CSU: Shqipëria nuk plotëson asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave

469
Sigal

Grupi parlamentar CDU-CSU në Gjermani ka reaguar lidhur me raportin e Këshillit Evropian

Shqipëria nuk plotëson asnjë nga kushtet për negociatat

 

Grupi parlamentar CDU-CSU në Gjermani ka reaguar lidhur me raportin e Këshillit Evropian dhe rekomandimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU- CSU, Johann David Wadephul, në një deklaratë, thotë se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet për negociatat e pranimit në BE. Wadephul përmend mungesën e një sistemi gjyqësor funksional, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Koalicioni qeverisës gjerman kujton se nuk janë krijuar as SPAK dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit. Shqipëria nuk ka progresuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa gjermanët nuk harrojnë të kujtojnë se nuk kanë nisur as procedurat ligjore kundër politikanëve të përgjuar për blerje votash. “Grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do t’i krahasojë atë me analizat e tjera në dispozicionin e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet. Megjithatë, një shqyrtim i tillë nuk duhet bërë me ngut. Kjo nuk do ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe do të ishte e padrejtë edhe për vendet në fjalë. Në këtë kuptim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit- siç u pajtuam me kolegët e grupit parlamentar të SPD-së. Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç u kërkua nga ministrat e Jashtëm të BE më 28 qershor të vitit 2018. Nuk ka një sistem gjyqësor funksional. Nuk funksionojnë as Gjykata Kushtetuese dhe as Gjykata e Lartë. Nuk janë krijuar as njësia antikorrupsion SPAK dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivele të ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak raste të procedimeve për korrupsion në nivele të larta dhe as dënime. Në mënyrë të ngjashme janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm nuk është miratuar akoma. Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU/CSU është ende i gatshëm që të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk mund të përjashtohet që nga fillimi”, thuhet në deklaratën e zyrtarit të lartë gjerman. Në të njëjtën linjë qëndron dhe ish-eurodeputetja Doris Pack, e cila thotë se Federica Mogherini dhe eurokomisioneri Johannes Hahn, mbyllën sytë për mungesën e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, korrupsionin, mashtrimet elektorale dhe kanabisin.