Boiken Abazi: Kurti ka frenuar ekspansionin e Serbisë, Rama po e fut në korsinë e shpejtë

227
Sigal

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi, duke komentuar takimin e radhës midis Ramës, Vuçiçit dhe Zaeveit, në kuadër të Minishengenit, komenton se ndërsa Kurti e ka frenuar ekspansionin e Serbisë, Rama po e fut këtë të fundit në korsinë e shpejtë.

‘Sot ka ndodhur takimi i radhës “on-line” mes Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, në kuadër të “Zonës së Novi Sadit” (të ashtuquajtur Mini-Shengen). Vuçiç ka deklaruar sërish sot publikisht si në vijim: ”nëse kushdo njeh pavarësinë e Kosovës, në atë moment nisim fushatën tonë për tërheqje të njohjeve”. Rama nuk ka publikuar asgjë nga takimi i sotëm, dhe nuk ka patur asnjë reagim për deklaratat e Vuçiçit.

Dikush mund edhe ta quajë mungesën e reagimit të Ramës si miratim në heshtje, por në fakt është kolaboracionizëm i drejtpërdrejt. Mediat kanë raportuar se në kuadër të “Zonës së Novi Sadit”, në datat 28-29 korrik, pritet të lidhen marrëveshje të reja për tregëtinë dhe lejet e punës mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tre qeveritë po planifikojnë edhe korsi të veçanta të shpejta në pikat kufitare vetëm për qytetarët dhe bizneset e këtyre tre shteteve.

Pa kaluar 3 ditë nga dialogu në Bruksel, kur KM Kurti i numëroi Vuçiçit gjenocidet dhe krimet e Serbisë, si dhe 11 shkelje tregtare që Serbia po kryen aktualisht, KM Rama saboton çdo përpjekje për të vendosur drejtësi. Serbia as nuk është penduar, as nuk ka kërkuar falje, as nuk ka hequr dorë nga synimet grabitqare, por kjo nuk po e pengon KM Rama ta ftojë Serbinë të fusë kriminelë gjenocidialë në Shqipëri nga korsia e shpejtë.’