Bogdani: Veliaj i fshihet skandalit që e lidh me paratë e pista të Dzanashvillit

454
Partia Demokratike ka akuzuar sot kandidatin e majtë për kryetar bashkie, Erion Veliaj se nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me skandalin ku është e përfshirë bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Gerti Bogdani i është drejtuar me anë të një pyetje Veliajt se nëse bashkëshortja e tij ka qenë thjeshtë sekserë në këtë transaksion, sa para kanë përfituar ata? Dhe, a po përdoren këto para sot, përveç kursimeve të familjes.
“Ka mbi 5 ditë që kandidati rilindas për Tiranën, që nuk jep asnjë shpjegim apo përgjigje për skandalin financiar ku është përfshirë bashkëshortja e tij. Bëhet fjalë për skandalin korruptiv të pastrimit të parave të gjeorgjianit Dzanashvilli me bizneset e deputetit Mark Frroku, ku bashkëshortja e Veliajt është përfaqësuese ligjore e gjeorgjianit sipas prokurës së firmosur prej tyre. Transaksion që ka kaluar nëpër duart e tyre si fillim 300,000 Euro e më pas 1.8 milionë Euro. Skandal për të cilin as mediat nuk e pyesin, diku për shkak të presionit të qeverisë siç kemi parë ditët e fundit, e diku për shkak të joshjeve! Skandal për të cilin prokuroria duhet të thellojë hetimin. Sidoqoftë, Partia Demokratike e pyet kandidatin rilindas Veliaj sërish:
Nëse bashkëshortja e tij ka qenë thjeshtë sekserë në këtë transaksion, sa para kanë përfituar ata? Dhe, a po përdoren këto para sot, përveç kursimeve të familjes, për postera, zyra elektorale apo fushatë? Nëse ajo ka qenë thjeshtë përfaqesuese ligjore e gjeorgjianit, a e ka denoncuar ajo këtë transaksion prej mbi 2 milionë euro në institucionet përkatëse për parandalimin e pastrimit të parave në baze të ligjit 9917 të vitit 2008? Sidoqoftë, kandidati rilindas ka detyrim jo vetëm moral ndaj zgjedhësve, por mbi të gjitha detyrim ndaj ligjit që të bëjë transparencë, sepse transparenca nuk është kurrë zgjedhje sipas dëshirës”, deklaroi Bogdani.
Sigal