Blushi: Rilindja, lavatriçja më e madhe e mediokritetit

442
Sigal

Deputeti Ben Blushi ka braktisur punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e krerëve të strukturave, një proces sipas tij mediokër. Në një prononcim për mediat, Blushi ka deklaruar se prania e tij në fillim të punimeve të asamblesë ishte pasi kishte propozuar një rezolutë për hapjen e kutive të referendumit, që sipas tij nuk u mor parasysh.

“Kjo kryesi nuk është e PS, është e Rilindjes, një lavatriçe mediokriteti. Socialistët e vërtetë nuk pranuan të jenë pjesë e kësaj kryesie. Falenderoj zonjën Dade dhe zotin Dokle që thanë se nuk do të jenë pjesë e saj. Sepse ata nuk mund të jenë dakord me këtë që po ndodh në PS”, ka deklaruar Blushi.  Sipas tij, kryesia e PS është kthyer në një korporatë që e ka zhytur Shqipërinë në korrupsion. “Gjithë vartësit e tij, Rama i ka futur në kryesi. Kjo nuk është kryesi. Është sundimi i një partie në mënyrë vullgare. U ngjan atyre shesheve që përuron zoti Rama e që ngjajnë me banjot publike të vitit ’91”, ka thënë Blushi.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave nëse po mendon për krijimin e një partie të re, Blushi është shprehur se, “këtë po e mendojnë shqiptarët, për të shpëtuar nga Rilindja dhe nga PD-ja”. “PD-ja shkon për armatosje, Rilindja shkon për kanabis. Jam i bindur se Shqipëria do ta gjejë rrugën e saj”, ka shtuar Blushi.