Bllokohet Bashkia Prrenjas/ Me urdhër të Taulant Ballës, këshilltarët nuk votojnë buxhetin. Pse heshtin ambasadorët në Tiranë?

939
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Pse heshtin Kazanët e ambasadave në Tiranë për mbylljen e Bashkisë?

Kryebashkiakja e Përrenjasit: Të shpërndahet Këshilli Bashkiak, buxheti u bllokua me urdhër të Taulant Ballës

Kryeministri Rama ka filluar me kohë fushatën elektorale për zgjedhjet bashkiake, edhe pse Kodi Zgjedhor e ndalon kategorikisht që fushata elektorale të zhvillohet para afateve kushtetuese që përcakton ligji për fushatat elektorale. Kryeministri Rama, në këto takime elektorale, ka shkuar në ato bashki, të cilat janë fituar nga PS-ja, ndërkohë, që në asnjë bashki ku kanë fituar LSI-ja , me të cilën PS-ja ishte në koalicion zgjedhor në 2015 nuk ka shkuar. Ndërkohë, që në bashkitë ku janë fituar nga LSI-ja qeveria me prefektët dhe këshilltarët socialistë të këshillave bashkiake, bëjnë në prapaskenë loja dhe pazare politike, duke mos votuar buxhetin. Edhe pse kryebashkiakët e këtyre bashkive u janë drejtuar kryeministrit dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë, për të kërkuar ndihmë e zgjidhje të ngërçit politik, qeveria hesht në mënyrën më tinëzare dhe djallëzore, për t’u ushtruar shantazh qytetarëve votues, që të votojnë PS-në në qershor, nëse duan të kenë shërbime publike në bashkitë e tyre, në të kundërt, do të vuajnë. Por, kanë heshtur edhe ambasadorët në Tiranë, thua se bashkitë në Shqipëri janë të Frontit të Lindjes dhe jo në Shqipëri. Përse ambasadorët në Tiranë u shqetësuan për djegien e mandateve nga opozita dhe bënë thirrje për pengim të demokracisë në Shqipëri, ndërsa heshtin dhe nuk u intereson pse PS-ja bllokon bashkitë. Zotërinj ambasadorë të BE-së në Tiranë: A nuk pengohet demokracia, kur mazhoranca dhe qeveria bllokojnë bashkitë dhe lënë pa buxhet dhe shërbime publike qytetarët, për t’u hakmarrë politikisht?

Diskriminimi politik i kryeministrit ndaj bashkive

Ndërsa në bashkitë, ku janë fituar nga LSI-ja qeveria, nëpërmjet prefektëve socialistë të qarqeve dhe këshilltarëve socialistë, mundohet të zbatojë politikën e diskriminimit politik. Kryeministri dhe qeveria, duke përdorur fondet e investimet, nuk u kanë dhënë këtyre bashkive fondet e duhura, sipas premtimeve të përbashkëta elektorale që bënë në 2015-n, por as sipas nevojës dhe madhësisë territoriale dhe të popullsisë të bashkive. Dhe, ky diskriminim kalon edhe caqet e shkeljes të rregullave dhe kompetencave të pushteteve qendror me pushtetin lokal dhe merr përmasat e një skandali, sikurse në bashkinë e Skraparit, ku prefekti i qarkut, Harrila Dafa, pa asnjë kompetencë ligjore, mbledh këshillim bashkiak vetëm me këshilltarë socialistë dhe miraton …buxhetin e bashkisë Skrapar 2019, duke shkurtuar deri në masën 51 %, pa pyetur Bashkinë, e këto vendime nuk kanë as vulën dhe as firmën e Bashkisë të Skraparit

Taulant Balla bllokon buxhetin e Bashkisë Prrenjas

Kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira ka denoncuar Këshillin Bashkiak të Prrenjasit se nuk duan të miratojnë buxhetin e Bashkisë për 2019. Sipas kryebashkiakes Rira, është deputeti i zonës elektorale Taulant Balla dhe njëkohësisht edhe numri 2 i PS, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, që në prapaskenë po nxit këshilltarët socialistë, që të mos votojnë buxhetin e Bashkisë Prrenjas. Deputeti Taulant Ballla nuk bëhet fare merak, se po nuk u miratua buxheti i Bashkisë Prrenjas, do të jenë qytetarët ata që do vuajnë pasojat, e nuk do të jetë kryebashkiakja e LSI-së. Por, për deputetin Balla qytetarët janë thjesht numra, janë vota, që, nëse nuk votojnë Partinë Socialiste, nuk kanë më vlerë si votuese, nuk kanë më vlerë si qytetarë, prandaj edhe duhet të injorohen me mungesën e shërbimeve publike.

Miranda Rira: Bllokimi i buxhetit situate kaotike e krijuar nga politika do të mbyllim kopshtet dhe çerdhe.

Dështon për të tretën herë radhazi miratimi i buxhetit në bashkinë Prrenjas. Prej ditësh bashkia Prrenjas po haset me problemin e mos miratimit të buxhetit të që është bllokuar nga këshilli bashkiak për arsye politike. Dhe pikërisht mosmiratimi i buxhetit e ka detyruar Bashkinë Prrenjas për vitin 2019 të njoftojë mbylljen e kopshteve dhe çerdheve, pasi nuk garantohet dot ushqimin. Për këtë arsye dhjetëra qytetarë dhe prindër janë ngritur në protestë ku pritet që në ditët ne vijim protesta të vazhdojë deri sa problem i tyre të marrë zgjidhje . Kryetarja e Bashkisë Miranda Rira tha: Gjithçka ka dështuar. Gjithçka është bllokuar vetëm për të krijuar këtë situatë kaotike tani disa muaj para zgjedhjeve lokale. Gjithçka është politike, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kërkojmë mbylljen e kopshteve dhe çerdheve deri sa buxheti të miratohet. Është e turpshme dhe fatkeqësi e madhe që sot në Shqipëri bëhet politike me fëmijët e vegjël të cilët janë pa pikën e fajit. Janë rreth 500 fëmijë të vegjël që presin për ushqim në kopshte e çerdhe. Kryebashkiakia madje tha se ka kërkuar dhe shpërndarjen e këshillit bashkiak dhe i ka dërguar kërkesë dhe prefektit të Qarkut të Elbasanit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj situate. Kryebashkiakja, Miranda Rira, e cilëson këtë bllokim politik nga PS-ja. Kryetarja e bashkisë Përrenjas Miranda Rira u ka bërë thirrje publike kryeministrit Edi Rama, prefektit të Elbasanit si dhe Këshillit të ministrave që të shpërndahet këshilli bashkiak i bashkisë së Përrenjasit pas bllokimit të buxhetit. Kryetarja e bashkisë u shpreh se nga bllokimi i buxhetit sipas saj me urdhër të deputeteve të PS janë mbyllur kopshtet dhe çerdhet. “Bllokimi i buxhetit në bashkinë Përrenjas vjen nga keqdashja e deputetëve të PS Taulant Balla dhe Nure Belba te cilët kanë bërë presion këshilltarëve të PS për mos miratim të buxhetit. Gjendemi në një situatë kritike që na detyron t’i vëmë kyçin çerdheve kopshteve dhe Bashkisë. Gjithçka është sajesë politike për të bllokuar bashkinë Përrenjas që qeveriset nga LSI”- tha thënë Rira.