Bllokimi i rrugëve, fillim i mosbindjes civile

521
Opozita: Bllokojmë rrugët; policia: Do të ndërhyjmë
Ndizen gjakrat/ Nis sot mosbindja civile e kërkuar nga PD dhe LSI. Do të paralizohen akset kryesore kombëtare 
Opozita do të nisë sot mosbindjen civile me një protestë të shtrirë në qytete të ndryshme të vendit për të paralizuar segmentet kryesore rrugore. Grupi i përbashkët i punës së PD-së dhe LSI-së ka vendosur edhe strategjinë e veprimit gjatë paradites së sotme, ndërsa opozita ka kërkuar spostimin e seancës së Kuvendit për në orën 18:00. Në planin e opozitës parashikohet që bllokimi i segmenteve kryesore rrugore të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 13:00 apo 14:00 dhe synimi do të jetë ndërprerja e komunikimit në pikat më kyçe. Akset e bllokuara do të jenë kryqëzimi i Milotit, që lidh Tiranën me Shkodrën, por dhe Rrugën e Kombit me Tiranën dhe Durrësin. Në këtë mënyrë synohet të paralizohet qarkullimi dhe lidhja e pjesës veriore të vendit me Tiranën, Durrësin dhe jugun. Gjithashtu do të bllokohet kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, që paralizon lëvizjen në jug të vendit. Nuk do të mbeten jashtë planit opozitar edhe dy nyje të rëndësishme transporti, si kryqëzimi i Vorës, ku pritet të bashkohet dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, si dhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan, që shërben si nyje për segmentet Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Durrës. Në planin e opozitës është përcaktuar që do të ketë një shpërndarje të deputetëve në të gjitha pikat rrugore që do të bllokohen. Kjo do të bëhet me synimin për të organizuar qytetarët, si dhe për të vështirësuar ndërhyrjen e mundshme të forcave të policisë. Në bazë të qarqeve nga janë zgjedhur, deputetët do të vendosen sot prej orëve të para të mëngjesit në nyjet e qarkullimit rrugor. Edhe gjatë ditës së djeshme, dy partitë kryesore të opozitës kanë zhvilluar takime për të rakorduar detajet e zhvillimit të protestës. Më pas, është parashikuar që deputetët do të jenë në seancë në orën 18:00, në rast se shumica do të pranojë të spostojë punimet e Kuvendit. 

Policia: Nuk do të lejojmë protestën
Policia e Shtetit deklaroi mbrëmjen e djeshme se nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve. “Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cenim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë. Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”, theksoi policia. Ajo deklaroi se njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar, por ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cenimin e interesit të qytetarëve. Policia e Shtetit u bëri apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit. “Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore”, thanë uniformat blu. Policia i bëri thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë.

Pikat e bllokimit
Kryqëzimi i Milotit – Lidh Tiranën me Shkodrën dhe Rrugën e Kombit
Kryqëzimi i Vorës – Lidh Tiranën me Durrësin
Kryqëzimi i Bradasheshit – Lidh Tiranën me juglindjen dhe Elbasanin me Durrësin
Kryqëzimi i Çermës – Lidh veriun me jugun e vendit
LSI: Rama të përjashtohet nga Kuvendi
Nëntë deputetë të grupit parlamentar të LSI i janë drejtuar me një kërkesë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për përjashtimin nga seanca parlamentare të kryeministrit Edi Rama. Në kërkesën e grupit parlamentar të LSI thuhet se “duke marrë shkas nga sjellja në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama, i cili në seancën plenare të 29 marsit me një gjuhë prej rrugaçi përdori fjalor fyes, përçmues dhe poshtërues ndaj deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Shqipërisë ju drejtohet me këtë kërkesë për marrjen e masës disiplinore për përjashtimin e tij nga zhvillimet e punimeve të Kuvendit”. Sipas deputetëve të LSI, kjo nuk është hera e parë që përmes retorikës së vet si në rastin e mësipërm, kryeministri Rama u drejtohet deputetëve dhe qytetarëve me shprehje apo stilema të tilla fyese dhe denigruese, që dëshmon se kemi të bëjmë jo vetëm me raste të përsëritura, por edhe me një konsistencë të shfaqjes arrogante e me mungesë të etikës dhe të normave më elementare të edukatës nga ana e tij, çka përbën shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit dhe të normave të etikës parlamentare dhe qytetare në komunikimin publik.

Kërkesa është firmosur nga: 
1 – Monika Kryemadhi 
2 – Luan Rama 
3 – Petrit Vasili 
4 – Kejdi Mehmetaj 
5 – Nora Malaj 
6 – Silva Caka 
7 – Endrit Braimllari 
8 – Përparim Spahiu 
9 – Floida Kërpaçi
Sigal