Blindohet Korça për takimet e Ramës dhe Blushit

484
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi të premten, gjatë një aktiviteti të organizuar në Korçë, se “shqiptarët e kanë kuptuar që PS është e vetmja forcë që mund ta ndryshojë Shqipërinë”. Kryeministri Rama ishte i pranishëm në një aktivitet në Korçë, për anëtarësimet e reja në PS. “Ajo që PS po bën në 2 vjet e gjysmë është një motiv shumë i fortë për shumë qytetarë të këtij vendit që t’i bashkohen PS-së”, tha Rama në fjalën e tij. Ai theksoi se, “në këto 2 vjet e gjysmë nuk kemi bërë gjithçka, por aq sa çdo njeri i arsyeshëm të kuptojë se jemi në drejtimin e duhur”. Kryeministri u ndal te reformat që janë ndërmarrë gjatë mandatit të tij qeverisës, duke shtuar se nëse këto reforma do të ishin realizuar më parë, ato do ta kishin ndryshuar Shqipërinë. “Nëse reforma territoriale, reforma e pensioneve dhe reforma në arsim do të ishin ndërmarrë më parë, atëherë qytetarët shqiptarë do të kishin patur përfitime të drejtpërdrejta”, tha Rama. Por sipas tij, “u desh që të vinte PS në qeveri që të ndërmerrnim rrugën e guximshme të reformave të rilindjes. “Ata që na sulmojnë çdo ditë dhe që gjejnë në çdo nismë arsye për të na përbaltur, thonë se në Shqipëri ka më shumë të papunë se 2 vite e gjysmë më parë, por në fakt në Shqipëri ka 630 mijë njerëz që nuk punojnë më në të zezë”, tha Rama. Po ashtu ai theksoi se “me reformën në arsim ne kemi hapur një rrugë që do t’i japë të rinjve mundësinë që të jetojnë me punë të ndershme me zanatin e tyre dhe jo me diploma pa vlerë”. “Jam i bindur se edhe këtë vit do të vazhdojmë të rrisim punësimin real”, tha Rama, ndërsa shtoi se “për sa kohë që do të jem në detyrë, dhe do të ketë njerëz të palumtur, të papunë dhe me halle, unë asnjëherë nuk do të jem i kënaqur nga detyra e qeverisë”. Duke u ndalur te investimet në Korçë, Rama tha se “me mbështetjen që qeveria e tij do t’i japë Bashkisë së Korçës, ndryshimi që qytetarët do të përjetojnë këtë vit dhe vitet e ardhshme do të jetë edhe më i madh”. “Me PS në qeveri, për Korçën është investuar në 2 vjet e gjysmë më shumë se në 20 vite të marra së bashku”, tha Rama. Kryeministri premtoi se së shpejti do të fillojë projekti i kullimit, që do të përfshijë Korçën, Maliqin dhe bashkitë e tjera të këtij qarku.
Rama në Korçë: Saimir Tahiri, ministri më i mirë i 25 viteve
Edi Rama në Korçë foli për PS-në dhe ndryshimet që po bën kjo forcë politike në këto vite. Duke u dhënë disa tesera partie të rinjve Edi Rama tha, se Saimir Tahiri mbetet ministri më i mirë i Brendshëm në këto 25 vite. Kjo deklaratë e fortë e kryeministrit erdhi fill pas insistimit të të rinjve se policia është shembull në Korçë.
Mësuesi në Korçë nxjerr zbuluar Ramën: U futa në punë si militant i PS
Një mësues i ri në Korçë, teksa mori kartën e anëtarësimit në Partinë Socialistë, në prani edhe të kryeministrit Rama, u tregua më i sinqertë se sa duhej.“Jam Mateo Zguro, jam mësues prej një viti falë Partisë Socialiste”, tha i riu. Pas ovacioneve në sallë ai u shpreh: “E mo çfarë thashë?! Partia Socialiste thashë”! Pas kësaj ndërhyri Rama: “Dëgjojeni deri në fund se nuk është ashtu si kujtoni”.
Blushi me mbështetësit e tij në Korçë, i përgjigjet Ramës: Vendi në gjendje të keqe, për shkak të qeverisë 

Ben Blushi i është përgjigjur flakë për flakë Edi Ramës. I ndodhur në Korçë kandidati për kryetar i PS-së, Ben Blushi gjatë një takimi me mbështetësit e tij është shprehur se vendi është në gjendje të keqe dhe për këtë e ka fajin qeveria. “Kjo është një bisedë për Shqipërinë. Pse në vendin tonë ka kaq shumë varfëri dhe korrupsion”, ka thënë Blushi. Blushi e cilësoi takimin si “një bisedë për Shqipërinë”. “S’kam ardhur për miting, por për një bisedë mes miqsh”, iu drejtua Blushi mbështetësve të tij. “Fajin nuk e ka populli për gjendjen sot, por qeveria. Qeveria thotë ka punë, por shqiptarët janë dembelë. Unë nuk mund të pranoj këtë, duhet të reagojmë. Ky nuk është vendi që meritojmë. Jemi në mes të Europës, i kemi të gjitha mundësitë. Nuk kam qëllim të ndaj partinë ku jam. Nuk më ftuan tek takimi i Ramës. Jam deputet i Elbasanit, por mua s’më ftuan. Nuk me ftojnë më. Me thonë s’ke të drejtë të zgjidhesh, unë s’kam hyrë në biznes privat dhe kjo parti është kthyer në një e tillë”, deklaroi Blushi. Deputeti Ben Blushi ka ndarë në takimin e tij të djeshëm në Korçë edhe pikat kryesore të platformës së tij për kryetar të PS­së.
Sigal