Biznesi i vogël në luftë frontale me qeverinë për TVSH

566
Në Elbasan sabotohet protesta e biznesit të vogël nga kryebashkiaku. Ministri Ahmetaj: Ekonomia rritet 
Edhe pse biznesi i vogël e kundërshtoi që në fillim ligjin e qeverisë për t’i detyruar ata të zbatojnë skemën e TVSH-së, qeveria nuk bëri lëshime, veçse ndërmori hapin taktik, që urdhëroi tatimet të mos vënë asnjë gjobë ndaj atyre bizneseve të vogla, që ende nuk zbatojnë procedurën dhe dokumentacionin për TVSH. Biznesi i vogël dje ndërmori veprime konkrete, duke protestuar fuqishëm në të gjithë Shqipërinë
Solidaritet në protestë
Dhe i gjithë biznesi i vogël protestoi kundër përfshirjes në skemën e TVSH-së. Tregjet kryesore në Tiranë, “Tregu Çam”, “Medreseja”, “Tregu Elektrik” dhe “Tregu Ushqimor” por edhe dyqanet tek rruga e Durrësit dhe e Kavajës kanë ulur sot qepenët për 1 orë, në shenjë proteste ndaj përfshirjes në skemën e TVSH-së. Protestës i janë bashkuar edhe biznese në rreth të ndryshme të vendit. Ndonëse tregtarët kishin kërkesa serioze ndaj qeverisë, duke kundërshtuar vendimin e saj për futjen në skemën e TVSH-së, nuk kanë munguar edhe lajmërimet e pazakonta nëpër dyert apo qepenat e bizneseve të tyre. Kishte nga ata që kërkonin qeverinë Rama-Basha dhe që thoshin se do hapeshin më 18 maj, por edhe nga ata që ishin solidarizuar për të mos u bërë grevë-thyes.
Sabotatorët dhe përçarësit e protestës
Në Elbasan protesta e biznesit të vogël u sabotua nga kryebashkiaku socialist Qazim Sejdini, i cili është edhe bashkëpronar i tregut, së bashku me administratorin, i cili është edhe me rekorde kriminale. Të mos harrojmë, që aty, në atë treg u qëllua edhe polici nga djali i administratorit, dhe paskëtaj këta drejtues të tregut luajtën teatër me drejtësinë, mirëpo, drejtësia vonon, por nuk harron dhe vetëm këto ditë doli edhe urdhër-arresti ndaj tij. 

Në tregun e Medresesë, pati edhe përplasje. Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka sqaruar incidentin, ku u bë pjesë gjatë mbështetjes që ai dhe deputetë të tjerë të opozitës po i bëjnë protestës së bizneseve të vogla. Në treg, gjatë diskutimeve, ka pasur një përplasje mes dy tregtarëve, ndërsa ai më i riu në moshë e ka tejkaluar masën, duke e ofenduar tregtarin tjetër. Për të mos lejuar përplasjen fizike, deputeti thotë se e ka parë të arsyeshme të ndërhyjë. “Në atë moment ndërhyra unë. Nuk doja që situata të precipitonte në një konflikt fizik. Ishte i papranueshëm fjalori i tregtarit. Kishte edhe deputetë të tjerë që nuk u përfshinë nga frika se mos i kapnin kamerat”,- thotë Braimllari, duke sqaruar situatën e krijuar tek Medreseja.
Protesta në Fier
Bizneset e vogla në qytetet kryesore të vendit të mbështetur edhe nga opozita, kanë ulur gjatë ditës së djeshme për rreth 1 ore qepenat në shenjë proteste kundër futjes së skemës së TVSH. Në rrugën “Muharrem Agolli” në qytetin e Fierit protestuan rreth 100 biznese dhe me dhjetëra të tjera në pjesë të tjera të qytetit. Tregtarët shprehen se nuk i përballojnë dot taksat dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje ata do hyjnë në grevë urie. Një tregtare thotë se ata nuk kanë bukë të hanë dhe t’u çojnë fëmijëve, ndërsa pushtetarët mbushin xhepat me taksat e tyre. “Unë e blej mallin 10 dhe e shes 12. Atë që unë e fitoj, ai thotë, unë e dua. Ai thotë është rritur ekonomia, çfarë ekonomie është rritur? Ekonomia është rritur për pushtetarët se mbushin xhepat me taksat tona. Ushtë rritur, uji, energjia, xhepat tona janë bosh. Nuk kemi çfarë t’u çojmë kalamajve në shtëpi”- thotë një tregtare.

Në Durrës
Në qytetin bregdetar të Durrësit, tregtarët e tregut Industrial i janë bashkuar protestës duke ulur qepenat përreth 60 minuta. Tregtarët thonë se shteti po i rrjep lëkurën dhe kanë bërë thirrje për të rrëzuar këtë qeveri. “Situata është në gjendjen më të keqe që ka qenë ndonjëherë dhe me skemën e re të TVSH është e papërballueshme. Shpenzimet janë të mëdha dhe nuk e përballojmë. Ne nuk kemi taksa të hamë bukë, këta vendosin taksa prej 40%. Po na rrjepin lëkurën. Të ngrihemi veri dhe jug që të përmbysim këtë qeveri”- shprehen tregtarët.

Në Korçë
Ndërkohë në Korçë janë 120 biznese që kanë ulur qepenët në shenjë proteste, ndërsa në Berat rreth 100 biznese. “Nuk e përballojmë futjen e TVSH për bizneset e vogla. Futja e TVSH do ketë ose rritje të çmimi, ose do falimentojmë”- thonë tregtarët në Korçë.

Në Shkodër
Edhe në tregun industrial të Shkodrës janë rreth 300 biznese që kanë ulur qepenat në shenjë proteste kundrës taksave dhe përfshirjes në skemën e TVSH. “Jemi në prag falimentimi edhe pa vendosur skemën e TVSH. Kohët e fundit ka një rënie të fuqisë blerëse”- thonë tregtarët në Shkodër. Vasili thotë se qeveria po asgjëson biznesin e vogël për llogari të oligarkëve dhe për të larguar shqiptarët. Sipas Vasilit, sot mbyllja e qepenëve të biznesit të vogël është shuarja e ëndrrës së qeverise për t’i larguar shqiptarët, pasi, sipas tij, ata do qëndrojnë në vendin e tyre.
Sigal