Biberaj: Do ta mbrojmë demokracinë, me çdo kusht, çmim dhe mjet, nëse preket Kushtetuta

300
Sigal

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka paralajmëruar se nëse ndryshohet Kushtetuta në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, atëherë i gjithë populli opozitar ndaj kësaj mazhorance do të jetë në këmbë në mbrotje të demokracisë me çdo kusht, çmim dhe mjet.

Në një intervistë, Biberaj deklaron se nuk mund të miratohen ndryshimet kushtetuese për një javë nga një pseudo-maxhorancë, e cila qëndron në pushtet me votat e vjedhura në vitin 2017, e që nuk ka pasur më shumë se 10% pjesëmarrje në vetë-votimet moniste të 30 qershorit, ndërkohë që deputetët e pseudo-opozitës në parlament nuk përfaqësojnë as opozitën, as popullin opozitar dhe nuk janë të votuar nga populli.

Po ashtu, Aleksandër Biberaj thekson se nëse preket Kushtetuta  në mënyrë të njëanshme, kjo do të përbënte një prishje të të gjithë rregullave dhe ekuilibrave të demokracisë së brendshme, dhe një “thikë pas shpine”, “një prerje në besë” ndaj ndërkombëtarëve, të cilët investuan aq shumë për marrëveshjen e 5 qershorit. Pasi siç thotë ai, Kushtetuta në Shqipëri gjithmonë është ndryshuar me konsensus politik ndërmjet të gjithë faktorëve politikë të maxhorancës dhe opozitës.

Z. Biberaj, kryeministri Edi Rama duket i vendosur për ta ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë të njëanshme, çdo të thotë kjo jo vetëm në planin vendas, por edhe atë ndërkombëtar? Pasi ligji themeltar i shtetit u votua 4 vite më parë me 140 vota në Kuvend dhe me ndërhyrjen e fortë të partnerëve ndërkombëtarë!

Uroj që rilindja të mos i miratojë ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme, me patericat e saj në parlament, pasi ky veprim do të përbënte një gabim fatal me pasoja të paimagjinueshme për stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri. Nuk mund të miratohen ndryshimet kushtetuese për një javë nga një pseudo-maxhorancë, e cila qëndron në pushtet me votat e vjedhura në vitin 2017, nuk ka pasur më shumë se 10% pjesëmarrje në vetë-votimet moniste të 30 qershorit, ndërkohë që deputetët e pseudo-opozitës në parlament nuk përfaqësojnë as opozitën, as popullin opozitar dhe nuk janë të votuar nga populli. Ky parlament nuk ka legjitimitet as juridiko-kushtetues, as moral dhe as politik, pasi nuk përfaqëson vullnetin e popullit, dhe nëse do të kishte Gjykate Kushtetuese do të ishte shpërndarë disa herë nga Presidenti i Republikës. Nëse tenton t’a miratojë në mënyrë të njëanshme kjo do të përbënte një prishje të të gjithë rregullave dhe ekuilibrave të demokracisë së brendshme, dhe një “thikë pas shpine”, “një prerje në besë” ndaj ndërkombëtarëve, të cilët investuan aq shumë për marrëveshjen e 5 qershorit. Kushtetuta në Shqipëri gjithmonë është ndryshuar me konsensus politik ndërmjet të gjithë faktorëve politikë të maxhorancës dhe opozitës.

Por nëse ndodh ky ndryshim i njëanshëm i Kushtetutës, cila është rruga për Opozitën e Bashkuar?

Nëse kryeministri provokon me miratim të njëanshëm ne do të reagojmë si opozitë e bashkuar së bashku me popullin opozitar me protesta dhe manifestime mbarëpopullore. Askush nuk do të mundet më të ndalojë dot uraganin dhe zemërimin mbarëpopullor për të mbrojtur demokracinë.

Tashmë debati politik për reformën zgjedhore ka hyrë në një rrjedhë të re, pas qëndrimit në unision të opozitës për t’i hapur 100 për qind listat e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish, dhe jo pjesërisht siç kërkon t’i bëjë mazhoranca. A është kjo një lojë e kreut të mazhorancës  për të mbuluar pas kësaj nisme heqjen e koalicioneve parazgjedhore?

Ne si opozitë kemi qenë për sistem maxhoritar të kombinuar me proporcional ose për lista të hapura, por që deri dje i ka kundërshtuar publikisht kryeministri dhe rilindja. Realisht, nëpërmjet listave të hapura krye-hileqari dhe krye-mashtruesi do të bllokojë koalicionet parazgjedhore me qëllimin që të marrë fitore në tavolinë, pasi pa koalicione mbetjet e votave nëpër qarqe i merr partia e parë. Edi synon që me çdo mjet të dalë parti e parë në disa qarqe dhe të marrë disa mandate që realisht do t’i përkisnin partive të tjera. Ky është synimi djallëzor i tij, por kjo s’ka për të ndodhur, pasi opozita dhe populli opozitar është në këmbë për të mbrojtur demokracinë, me çdo kusht, çmim dhe mjet.