Betimi tek noteri është precedent i rrezikshëm

597
Sigal

ISP kundërshton fort maxhorancën socialiste për projektligjin që përgatit

Instituti i Studimeve Politike (ISP) është kundër dy nismave të tre deputetëve të mazhorancës për ndryshime në praktikën kushtetuese e ligjore të kryerjes së betimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, magjistratëve, etj. Nismat pritet të nisin të diskutohen gjatë këtyre ditëve në komisione. ISP nënvizon se nisma të tilla krijojnë precedent të paaplikueshëm në asnjë vend evropian dhe  dobësojnë ndjeshëm institucionin e Presidentit, institucionin e Kuvendit dhe çdo institucion tjetër emërtese, si dhe hap mundësi të reja abuzive për kriza të tjera për këtë çështje në të ardhmen. ISP vlerëson se nismat “Për disa shtesa në ligjin nr. 8577, date 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese”, të ndryshuar“, si dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, datë 06.10.2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”, të ndryshuar” bien ndesh me standardin e përcaktuar në Kushtetutë dhe nuk ofrojnë zgjidhje të problematikës së krijuar në marrëdhëniet midis Presidentit, parlamentit, Gjykatës Kushtetuese. “Zgjidhja e konflikteve kushtetuese mund e duhet të bëhet përmes Gjykatës Kushtetuese. Zgjidhja e krizave dhe konflikteve politike mund e duhet bërë përmes maturimit dhe bashkëpunimit institucional. Bazuar edhe në praktikat tona të tranzicionit ndërhyrjet e shpejtuara ligjore dhe kushtetuese kanë rezultuar jo efikase dhe në thelb, kanë qenë të kontestueshme dhe me impakt negativ në standardet e funksionimit të shtetit të së drejtës” thuhet në opinionin  që ISP Ii ka adresuar Komisionit për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut në Kuvend.

Argumentet e ISP kundwr projektligjit

Precedent të paaplikueshëm në asnjë vend evropian”

Kushtetuta e RSH (1998) me ndryshime, në nenin 129 përcakton se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës“. Në dallim nga disa kompetenca të tjera kushtetuese në këtë rast Kushtetuta nuk shprehet më tej “sipas ligjit“, por e konsideron atribut 100% të Presidentit të Republikës. Kjo është një kompetencë tipike e Presidentëve në republikat presidenciale, gjysmë-presidenciale dhe parlamentare, në rastet kur betimi nuk përcaktohet ndryshe në Kushtetutë ose në ligjin organik. Si e tillë, nisma e tre deputetëve për të ndryshuar këtë praktikë kushtetuese nuk ka të bëjë direkt me ligjin nr. 8577, por ka të bëjë me normën dhe nenin kushtetues, me një kompetencë kushtetuese të Presidentit. Siç dihet, Kushtetuta mund të ndryshojë përmes një procesi krejtësisht të ndryshëm dhe jo përmes nismës së tre deputetëve. Për rrjedhojë, çdo akt në këtë drejtim mund ta çojë parlamentin në shkelje të Kushtetutës dhe të bëhet burim për një krizë tjetër politike e institucionale në vend.” Kuvendi, përmes krijimit të një institucioni të ri të betimit “betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës“ rrezikon të deformojë parimet dhe normat kushtetuese dhe të krijojë precedentë të pa aplikueshëm në asnjë vend evropian.”

Lind e drejta e betimit personal tek noteri, e TV

“Nëse kjo klauzolë miratohet atëherë çdo gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ose i Gjykatës së Lartë, Prokurori të Përgjithshëm, etj, dhe më pas edhe zyrtarë të tjerë që e lidhin mandatin e tyre me aktin e betimit, do t’u lindë e drejta të bëjnë betimin personal në banesën e tyre, në zyrë, tek noteri, në TV, në pushime dhe kudo që ata mund të ndodhen në moment, – mjafton që të firmosin një deklaratë dha ta adresojnë atë tek institucioni i emërtesës. Krijimi i një institucioni të tillë paralel dhe formal betimi deformon solemnitetin dhe legjitimitetin e individëve të zgjedhur, dobëson ndjeshëm institucionin e Presidentit, institucionin e Kuvendit dhe çdo institucion tjetër emërtese, si dhe hap mundësi të reja abuzive për kriza të tjera për këtë çështje në të ardhmen.”