Besart Xhaferri takim me diasporën në Londër: Kostot e keqqeverisjes ju detyruan të paguanit 33 mijë euro për tu larguar me gomone

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Londër, ku denoncoi qeverinë për situatën dramatike të eksodit shqiptar.

Ai theksoi se shqiptarët sot largohen nga vendi jo për të ndjekur ëndrra, por për të shpëtuar nga mjerimi, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama si nxitës dhe përfitues direkt i eksodit. “Ky nuk është thjesht emigrim, por një projekt i qëllimshëm eksodi,” u shpreh ai.

Sigal

Xhaferri vlerësoi diasporën si krenarinë dhe shpresën për një Shqipëri ndryshe, duke përmendur kontributin dhe sakrificat e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ai kërkoi që energjia dhe potenciali i tyre të mos përdoren më për të mbijetuar jashtë vendit, por të kthehen në forcë zhvillimi për Shqipërinë.

Në përfundim, Xhaferri bëri thirrje për bashkim përpara zgjedhjeve të 11 majit: “Ne nuk vijmë me eskortë, por me fjalën tonë, që është garancia jonë. Vota juaj është perla e fitores.”

 

Fjala e Kreut të FRPD Besart Xhaferri në takimin me diasporën në Londër:

Ju paguat 33 mijë euro për udhëtimin me gomone për në Londër, teksa kreu i qeverisë pi verë 33 mijë euro dhe ministrja e tij vetëm për larjen e veturës shpenzon 10 mijë euro në muaj!

Si i kam çunat dhe gocat e   Londrës, krenarinë e diasporës sonë, shembullin e sakrificës dhe devotshmërisë në emër të familjes dhe kombit, DUA NJË DUARTROKITJE të fortë për ju, pasi jemi këtu vetëm për ju dhe pas 11 Majit do jemi në shërbimin tuaj si kurrë më parë këto dy dekada.

Sa herë vij para jush kam një ndjenjë të veçantë, jo se dua tju ndaj nga pjesa tjetër e diasporës se ne jemi të gjithë Shqiptarë, por së pari është fakti që unë kam jetuar gjatë këtu në Angli dhe kam ndarë një rrugëtim të gjatë me secilin pre jush, e së dyti se ju i morët përsipër rrugët dhe kostot e mërgimit në një dekadë, kur shqiptarët do duhej të ktheheshin në atdhe.

Ka qenë normal largimi i shqiptarëve në vitet 1990 pas rënies së regjimit, ka qenë normal dhe në vitet 2000 për shkak të mjerimit që prevalonte kudo dhe pas luftës civile që nxitën ish sigurimsit, por që shqiptarët të ndërmerrnin kamionët dhe gomonet në vitet 2017-2023, kjo ka qenë e tmerrshme, ka qenë një projekt i qartë eksodi, që ka ideator dhe zbatues Edi Ramën, njeriu që ju ekspozoi përballë krimit dhe mjerimit si askush tjetër dhe ju detyroi që në ato gomone ju të ngjiteshit së bashku me fëmijët e mitur, duke na rikthyer ato skena dramatike që 1997.

Kur garova për kreun e Forumit Rinor, nisa një tur në mbarë Shqipërinë dhe nga ajo çfarë pashë në verilindje dhe më gjerë ishte e rëndë, shumë prej bashkëpunëtorëve të mi ndër vite ishin larguar dhe ato adoleshentë dhe maturantë që ishin të pranishëm në takime mu shprehën se po prisnin të mbaronin gjimnazin, jo për të ardhur në Tiranë për të ndjekur ëndrrën e tyre për studime, por për të ardhur në Angli për të nxjerrë familjet nga kthetrat e mjerimit.

Ato vila të bukura bosh ose me dy të moshuar në Has, Tropojë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Mat, Kamëz, Durrës, Tiranë e mbarë Shqipërinë që kanë në themele djersën e mundin tuaj, janë simbol i plagës së eksodit që ne duam ta kurojmë dhe ato shtëpi dinjitoze të marrin vlerën që meritojnë dhe atë vlerë ia jepni vetëm ju e jo fasadat.

Kur Edi Rama erdhi në një takim në Londër për votën dhe për projektin e tij kriminal të amnistisë, ju organizuat një prej protestave më dinjitoze, që i ngjante diasporës rumune që protestonin në New York kundër Causheskut, dhe propaganda tentonte t’ju nxirrte si njerëz të paguar nga Partia Demokratike.

E vërteta është që në atë protestë ishin njerëz që kishin paguar nga 33 mijë euro për të kaluar më gomone La Manshin, pasi kishin kaluar javë të tëra në malet Francës në mes të dimrit, duke ndarë fatin e tyre me indianë e Sirinë, vetëm e vetëm për të ardhur në Angli, për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët.

E vërteta është që në mesin e atyre protestuesve kishte nga ata që kanë ardhur këtu me kamionë, një udhëtim i rrezikshëm, që ka marrë dhe jetë të rinjsh shqiptar.

Por nga ta dinte Edi Rama se kush jeni ju, se ai njeri ka ardhur në pushtet nga plazhet e Francës në vitin 1998, kur nisi të lindë diaspora shqiptare në Angli dhe që prej asaj dite, nuk i ka parë kurrë në sy hallet e shqiptarëve.
Nga ta dinte ai se çfarë përfaqësoni ju kur ai pi verë 33 mijë euro dhe ministret e tij paguajnë nga 10 mijë euro vetëm për larje makine, kur fëmijët tuaj kanë paguar 33 mijë euro për të ardhur dhe për të punuar në Lavazh në Angli.

Përtej dhimbjes dhe sakrificës ëndrra angleze ekspozoi potencialin tuaj të jashtëzakonshëm në sipërmarrje, duke u bërë shembull për anglezët dhe të huajt këtu në Angli dhe dëshirën e zjarrtë për arsim, duke u bërë një prej diasporave shembull i arritjeve në art, shkencë e sport.

Emra si Dua Lipa, Rita Ora, Armando Broja,Roko Vata, Lea Ypi dhe heroi Indrit Cara i UÇK, janë pasqyra e arritjeve tuaja dhe këto arritje janë pasaporta shqiptare, jo ajo pasaporta me simbolin e kokainës që përfaqëson Edi Rama.

Do doja të përmendja më shumë emra, por lista e gjatë e pjesë e asaj liste janë shumë prej jush në këtë sallë, që na keni bërë krenarë.

Ne duam që ky potenciali juaj i jashtëzakonshëm dhe energjia juaj të kanalizohet në shërbim të Shqipërisë jo më në mënyrë të pakontrolluar, pasi deri tani shteti amë ju ka parë si objekt zhvatje, por duam që së bashku të ndërtojmë një vend, ku të gjithë ju të vini pa frikë dhe të ndërtoni të ardhmen për familjet tuaja dhe të mos e shihni më atdheun vetëm si atë shtëpinë e dytë, pasi atdheu duhet të jetë një shtëpi, që duhet ta gëzoni e duhet ta trashëgoni.
Ne Anglisë i jemi mirënjohës për gjithçka na ka dhënë dhe duam që Londrën ta gjejmë atje në tokën tonë, që nuk na kanë lënë amanet të parët tanë, por u’a kemi borxh fëmijëve tanë.

Ne nuk vijmë këtu as me eskorta luksoze, as me administratë as me këngëtare tallavaje të paguar me taksat tona të vjedhura, ne vijmë këtu me të shkuarën tonë, që simbolizohet me Rrugën e Kombit, me liberalizimin e vizave me anëtarësimin në Nato dhe me luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Mbi këto arritje dhe me fjalën tonë, që është garancia dhe emblema jonë ne kërkojmë të nabashkoheni vëllezër e motra, pasi ne kemi bindjen se vota juaj plebishitare do jetë perla më e bukur në gjerdanin tonë të fitores.

Ashtu siç e dini, në emrin tuaj Edi Rama ka ngritur sipërmarrjen e pastrimit të parave në ndërtim, duke ndërtuar narrativën në mediet pranë tij, që çunat e Londrës po pastrojnë paratë në ndërtim, por e vërteta është që në ndërtim ai ka injektuar paratë e vjedhura përmes rrugëve të florinjta 20 miljon euro kilometri, inceneratorëve që shkojnë deri në 1 miliard euro dhe paratë e PPP-vë në Shëndetësi që kanë shkaktuar gjakderdhje financiare dhe gjenocid në jetët e vëllezërve dhe motrave tanë.

Secili prej jush largëqoftë kur i ka rënë një hall shëndetësor, e ka provuar në kurriz manualin e Bandës së Onkologjikut.
Ju jeni viktima të spekulimit me ndërtimet se një pronë në Tiranë apo Kamëz që në një treg normal mund ta blinit me 100 mije euro, e keni blerë më 150 mijë euro, pra jeni zhvatur barbarisht nga ky grup kriminal i strukturuar që për pastrimin e parave në ndërtim po bën kurban Erion Veliajn.