Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi të tjera pamje dhe detaje nga takimet që zhvilloi me përfaqësues të lartë të CDU-së gjatë kongresit të kësaj force politike në Berlin. Berisha zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së, me kryetarin e Bashkisë së Berlinit dhe me deputetë të Bundestagut gjerman.
Një ditë pas pjesëmarrjes në Kongresin e CDU-së, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim edhe me kandidatin e CDU-së për Kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz, lideri i opozitës ka publikuar pamjet dhe detajet nga takimet e tjera që ka zhvilluar në Berlin me përfaqësues të lartë të CDU-së gjermane. Kreu demokrat u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së, Carsten Linnemann, ndërsa shtrëngoi duart edhe me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner.
Gjatë kongresit të CDU-së, lideri i Partisë Demokratike zhvilloi takime me kryeministrin e landit Renani Veriore-Vestfali, Hendrik Wüst, ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe deputetin e Bundestagut gjerman, Volkmar Klein, të cilët i cilësoi si miqtë e Shqipërisë.
Më herët, në prononcimin e dhënë për mediat gjatë punimeve të kongresit të CDU-së, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve në Gjermani që në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të votojnë CDU-në dhe kancelarin Merz, si zgjedhjen në interesin më të mirë të vendit ku jetojnë. Ai theksoi se, pas fitores së republikanëve në SHBA dhe presidentit Trump, fitorja e kancelarit Merz në Gjermani do të ishte një nga fitoret më të rëndësishme në botë për qendrën e djathtë.
DU