Berisha-Thaçit: Bashkëpunim mes forcave politike shqiptare

491
Sigal

Kryeministri Berisha u takua dje me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçi. Në një prononcim për mediat pas takimit, kryeministri Berisha theksoi se avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore për qeverinë shqiptare. “Sapo përfunduam një takim të rëndësishëm me zotin Menduh Thaçi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. I shpreha edhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, i cili lë një trashëgimi të shkëlqyer në mendimin politik shqiptar dhe në mendimin shqiptar në tërësi. Një trashëgimi, e cila do të frymëzojë shqiptarët në mbrojtjen e idealeve dhe interesave të tyre. Zoti Menduh më informoi mua mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton. Unë e garantova se për ne, avancimi i mëtejshëm i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore. Në këtë kontekst ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë” tha Berisha. Nga ana e tij kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi theksoi se, e ka informuar kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. “Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe me parë garantova Kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Europian dhe në NATO”,- tha Thaçi.