Berisha: Rritja e çmimit të naftës, Rama tallet me shqiptarët

117
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryeministrit Rama. Në një takim në Gjirokastër, Berisha tha se qeveria tallet me shqiptarët në kohë krizë.

“Kjo është një qeveri që nuk pyet për qytetarët. Nuk pyet për qytetarët ai që harxhon mbi 2 milionë euro udhëtime me avion në dispozicion. Në një kohë kur mund të udhëtojë me bileta, linja tregtare siç udhëtojnë shumë kryeministra. Nuk pyesin për qytetarët që porosisin një biftek aq sa shpenzon një familje 5 muaj për ushqimin e vet.

Nuk mundet një ministër, zyrtar që t’i lejojë vetes një abuzim të tillë. Edhe nëse është i pasur vetë, fakti që është në detyrën e ministrit, është i detyruar të mendojë për qytetarin. Po lëre pastaj se si e kanë pasurinë. E kanë vendosur në kurriz të qytetarit. Ndaj dhe ju ftoj të dashur miq të angazhohemi në këtë betejë sikundër të angazhohemi në protesta të fuqishme” – tha Berisha.

Berisha komentoi edhe rritjen e çmimit të naftës për të cilin tha se Rama tallet me shqiptarët.

“Dy javë më parë deklaroi rritjen me 420 lekë mbi 800 kilovat. U tërhoq, sot e vendosi për muajin nëntor. Mirë e bën nëse e lejojmë, ne duhet të ngrihemi të gjithë. Sot nafta kishte rënie në bursë, sot ai e rriti me 220 lekë të tjera. Ai tallet me shqiptarët. I shumëzon me zero, me një arrogancë të verbër. I mashtron çdo ditë” – tha Berisha që premtoi se opozita ka një paketë antikrizë.

“Kemi paketën antikrizë me të cilën do të japim përgjigjen më të mirë. Do të vendosim minimumin jetik, ndër aktet e para. Kemi biseduar dhe negociuar me sindikatat dhe po përllogaritim minimumin jetik. Do të mbi dyfishojmë rrogat, pensionet, ndihmën ekonomike. Do të përgjysmojmë taksat mbi naftën, do të subvencionojmë transportin publik. Çdo qeveri që ndjen dhimbjen e qytetarëve, ka të gjitha mundësitë ti lehtësojë ato, ti përgjysmojë dhe të qetësojë krizën” – tha Berisha që foli edhe një herë për bashkim të opozitës.

“Nuk mund të na pengojnë ne përpjekjet për zgjedhjet lokale, me të cilat do ecim si opozitë e bashkuar. Do të bëjmë gjithçka për të dalë me një kandidat. Kjo nuk mund të na pengojë për të ndërmarrë protestat më të fuqishme, sepse përndryshe do të kemi rrënim, rrënim dhe vetëm rrënim” – tha kreu i PD-së.