Në vijim të fjalës së tij para Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi fushatën zgjedhore si një betejë të vërtetë luftarake, ku strategjia dhe organizimi janë vendimtare. Ai theksoi se risi e kësaj beteje për PD-në është bashkëpunimi me një nga strategët kryesorë të fitores elektorale të Donald Trump-it, Chris LaCivita.
Sipas Berishës, ky partneritet ka tronditur kundërshtarët politikë, duke shkaktuar panik brenda radhëve të mazhorancës. Ai ironizoi reagimin e kryeministrit Edi Rama, duke sugjeruar se ky i fundit ka humbur qetësinë dhe është zhytur në një krizë nervore. Berisha e paraqiti 11 majin si një moment kyç për koalicionin opozitar, duke e lidhur këtë datë me fitoren e padiskutueshme që sipas tij po vjen. Ai u shpreh se strategjia e ndjekur nga PD dhe aleatët e saj do të sjellë një triumf të thellë, ashtu siç ndodhi në SHBA me fitoren e Trump-it. Me këtë qasje, ai la të kuptohet se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një pikë kthese në politikën shqiptare.
FJALA E BERISHËS:
Të dashur miq, betejat elektorale janë beteja luftarake.
Ato kanë strategjinë e tyre.
Në këtë kuadër, ajo që përbën dhe risinë më të madhe 34-vjeçare të betejave të PD është dhe bashkëpunimi i vendosur me kryestrategun e fitores elektorale më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, bashkëkryemagjistarin e fitores të presidentit Donald Trump, i cili mori përsipër këshillimin dhe organizimin e fushatës elektorale të PD dhe koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në mënyrë që fitorja që ai korri në SHBA, të pasohet nga një fitore e thellë edhe në Shqipëri.
Dhe kjo siç jeni dëshmitarë ju, e ka tmerruar kundërshtarin tonë në mënyrë të papërmbajtur.
Shkallmoi!
Vetëm 3-4 ditë pas ardhjes së Chris LaCivita ai i ra tavolinës me grushta dhe është bërë banor i një parku zoologjik me avertebrorë dhe qenie të tjera, të cilat nuk i shqiten nga mendja sepse duket se në koshmaren e tij përjeton momente shumë të vështira.
Por 11 maji vjen dhe koalicioni firmos me 11 maj me ekipin që paraqitet një fitore të shkëlqyer.




















