Berisha: Rama ikën me revoltë popullore! Mjekët dhe sipërmarrësit të ngrihen në protesta

133
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Edi Rama largohet nga pushteti vetëm me revolta popullore. Gjatë një takimi me banorët e Gramshit, Berisha akuzoi qeverinë se ka një politikë për shpopullimin e vendit sikundër theksoi se Edi Rama ka marrë në dorë të gjitha pushtetet. Berisha vlerësoi procesin e primareve, si dhe theksoi se Partia Demokratike do të dorëzojë projektligjin për lustracionin.

Lideri i opozitës Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen për t’u ngritur në protesta të fuqishme kundër qeverisë së Edi Ramës. Nga Gramshi, Berisha hodhi akuza në drejtim të mazhorancës socialiste për politikat e ndjekura këto 9 vite, ndërsa pati edhe një apel për bluzat e bardha dhe sipërmarrësit që t’i përgjigjen politikave të qeverisë duke protestuar.

Një ditë pas diskutimeve për rregulloren e primareve, Berisha vlerësoi këtë proces dhe zgjedhjet brenda partisë. Sa i takon bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, Berisha bëri me dije se të mërkurën do të dorëzojë në Kuvend projektligjin për Lustracionin.

Berisha u ndal edhe tek dosja e lobimit me financime ruse e cila rendon mbi ish-kreun e partisë, Lulzim Basha. Sali Berisha akuzoi qeverinë socialiste se me trefishimin e çmimeve rriti të ardhurat, po nuk u ktheu asgjë qytetarëve.