Berisha: Rama është bërë vasal i Beogradit, opozita i ka bërë fresk këto 8 vite

57
Sigal

Nga Foltorja e Dibrës, lideri historik demokrat, Sali Berisha, tha se Edi Rama ka bllokuar integrimin dhe e ka bërë vendin një vasal të Beogradit.

“Kjo qeveri e krijoi vetë krizën energjetike me vjedhje. Ky ka qenë viti, ta dini nga unë, ndër më të mbarët në prodhimin e energjisë. Ndoshta për herë të parë, Shqipëria ka prodhuar gjer në fund të shtatorit, 7.2 miliard kilovat/orë. Por këta kanë shitur energjinë në gusht dhe shtator, me 40 dhe 50 euro kilovatin, në një kohë kur në bursë ajo shitej 130 euro. Dhe tani dalin e blejnë me taksat tuaja 210 euro kilovatin. Kjo është katastrofë e krijuar tërësisht nga qeveria”.

“Ky Kuvend që mbahet dhe ringritja e PD është interes jetik kombëtar. Këto tetë vite ylli ynë polar duhej të ishte integrimi në BE. Nordi ynë duhej të ishte ecja drejt BE-së. E kundërta ka ndodhur. Edi Rama u lidh në një mënyrë prej vasali me Aleksandër Vuçiç dhe në vend të nismave evropiane, nismës së Berlinit, ndërmori nismat e Serbisë së Madhe dhe të Vuçiçit. U angazhua në mënyrë antikombëtare në projektin e ndarjes së Kosovës. U angazhua në aleancë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Armik i betuar i qenies sonë kombëtare, e ka shndërruar Tiranën në megafon të luftës së ftohtë kundër Prishtinës. Dhe të gjitha këto me urdhër të Beogradit.

Ne nuk jemi kurrë që Shqipëria të bëhet vend vasal i serbomadhit Vuçiç, që përfaqëson një Millosheviç në vete. Sa i përket ultranacionalizmit, Vuçiç është po kaq i verbër dhe i egër sa padroni i tij. Ky njeri nuk njeh gjenocidin në Srebrenicës, një njeri që mohon masakrën e Reçakut dhe masakrat e tjera. Që nuk njeh gjenocidin ndaj shqiptarëve. Rama i mban ison dhe refuzon të njohë gjenocidin e luftës”.

“Një e keqe shumë e madhe është gjendja ku është katandisur PD nga ish-kryetari i saj. Sot Edi Rama, ka bllokuar integrimin, ka vrarë masivisht shpresën e shqiptarëve. Po ku është opozita? Opozita i bëri fresk qeverisë, pasi në 8 vite nuk ishte në gjendje të imponojë asnjë nisëm tjetër përveç dekriminalizimit.

Ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb ndaj këtij regjimi që po spastron Shqipërinë dhe shqiptarët”.