Berisha prej dy orësh në zyrën e Bashës, çfarë po ndodh në PD?

80
Sigal

Ish-Kryeministri Sali Berisha prej gati dy orësh ndodhet në një takim në zyrën e kreut të PD, Lulzim Basha, ndërkohë që mijëra demokratë në të gjithë vendin po vijojnë të votojnë për zgjedhjen e njërit prej 4 kandidatëve në garën për kryetar.

Pasi ka votuar dhe ka dhënë një deklaratë për mediat, Berisha ka shkuar në zyrën e Bashës, ku po zhvillon një takim.

Burime nga PD shprehen se në drejtim të ish-Kryeministrit ka pasur një seri ankesash dhe denoncimesh nga kandidatët e përfshirë në garën për kryetar, të cilat janë shprehur edhe publikisht nga të paktën dy prej tyre, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi, por edhe nga Kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.

Nuk dihet nëse ish-Kryeministri, i cili pak ditë më parë deklaroi se mund të rikthehet në krye të PD, i ka shprehur kritika Bashës lidhur me procesin, por në deklaratën publike pas votimit, Berisha tha se besonte se kandidatët do të vijonin t´i qëndronin angazhimeve të tyre, pavarësisht rezultatit në zgjedhje.

Në dallim nga 4 vite më parë kur Berisha deklarohej për një proces të rregullt, kohë kur përballë Bashës ishte Eduart Selami, sot ish-Kryeministri është treguar më i rezervuar në deklarata, ka shmangur komentet, por ka nënvizuar se i qëndron deklaratës pr një rikthim në krye të partisë.