Berisha nga Kuçova: Ky entuziazëm dhe kjo energji e juaja, burim i fuqishëm frymëzimi

113
Sigal

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi në Kuçovë këtë pasdite kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, për kryetar bashkie, Lefter Maliqi.

Në fjalën e tij, lideri demokrat tha se ky entuziazëm dhe kjo energji e qytetarëve është burim i fuqishëm frymëzimi dhe shprese.

“Ky entuziazëm është mesazhi më i fuqishëm që ju banorë të Kuçovës, ju përçillni shqiptarëve në të katër anët e vendit dhe në të katër anët e dheut. Për çdo shqiptar, sot Shqipëria është jo në krizë, por në rrokullisje të madhe. Sot Shqipëria përjeton një gjendje, në disa aspekte të pashembullt në historinë e vet. Kurrë ndonjëherë ky vend, që ka njohur pushtime të gjata, mynxyra, nuk është shpopulluara dhe braktisur, aq sa është braktisur në këto 8 vite nën regjimin e Edi Ramës. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që në një hark 8-vjeçar, jo me Shqipërinë, por me asnjë vend tjetër nuk ka ndodhur të largohen nga vendit 1/3 e popullatës. Kurrë ndonjëherë një komb nga asnjë luftë, asnjë mynxyrë nuk ka humbur në një kohë të shkurtër, më shumë se një gjeneratë sa kemi humbur ne. 

Ndaj dhe ky entuziazëm, kjo energji është burim i fuqishëm frymëzimi, është burim i fuqishëm shprese, për banorët e Kuçovës dhe mbarë shqiptarët që në datën 14 maj të votojnë kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Lefter Maliqin njërin nga qeveritarët vendorë më të përkushtuar të këtij vendi. Një bir të këtyre trevave, që pushtetin që i dhanë ju, e përdori për transformime, ndryshime, përmirësim të jetës tuaj, të kushteve tuaja, të punës tuaj në tërësi.

Komunat në të cilat qeverisi Lefter Maliqi, pësuan ndryshime më thelbësore se shumë e shumë rajone e komuna të tjera të vendit, dëshmi kjo e përkushtimit, por edhe e ndershmërisë, transparencës, vizionit, dashurisë së tij për të ndryshuar çdo ditë realitetin ku jetoni.
Lefter Maliqi në çdo detyre, ka qenë dhe ka dëshmuar një përkushtim të madh. Ai vjen sot si kandidat i koalicionit me mbështetje të plotë dhe totale të demokratëve, të qytetarëve, të Partisë së Lirisë dhe unë kam bindjen e madhe se këtu në Kuçovë, koalicioni ynë do të ketë një nga sukseset më të shkëlqyera”,
tha Berisha.