Berisha: Nesër dorëzohen 4200 firmat për Kuvendin Kombëtar

147
Sigal

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, njoftoi nga Foltorja e Pogradecit se nesër do të dorëzohen 4200 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.

“Për peng-kryetarin kam një lajm shumë të hidhur. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti: përkulu përpara firmave të anëtarëve të PD sepse 4200 kanë firmosur dhe në atë Kuvend do vijnë 10 mijë të tjerë. Do jetë festa më e madhe në historinë e PD-së. Do jetë triumfi i saj, rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren vendimtare ndaj narko-shtetit,” tha Berisha.

Sali Berisha e akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga “Foltorja” e Pogradecit se ai nuk është më vetvetja dhe se vijon të zbatojë urdhrat si peng. Sipas tij, Basha qëndron i mbyllur në zyrë dhe është shkëputur nga anëtarësia.

Berisha gjithashtu shtoi se Basha nuk e meritoi kurrë drejtimin e Partisë Demokratike.

“Kryetari pa parti zgjodhi të shkëputet përfundimisht me ju. Komunikon me muret. Nuk njeh ligj apo statut. Sillet sikur të ishte shkolluar në Korenë e Veriut. Pas shkelmimit të forumeve dhe shkëputjes nga anëtarësi dhe kjo sepse nuk është më vetja e tij, në vend të dorëheqjes, vijon zbaton urdhra si peng. Njëherë thotë se për mua nuk ka forume, statut, kuvend. Një herë tjetër deklaron se kanë ikur kohërat. Po një njeri që nuk ka pasur kohë kurrë nuk mund të flasë për kohën. Ju kërkoj ndjesë për heshtjen time. Ju garantoj se nuk ka pasur asnjë shkak mbi tokë, veç zotimit që nuk do të kthehesha më. Gabim i jetës sime që në 2017 kur i kërkova dorëheqjen, duhet të dilja në garë dhe të shpëtonim PD nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj”, deklaroi Sali Berisha.