Berisha në Mat: Fitorja e kandidatëve tanë, fitore e një Shqipërie që nuk e pranon monizmin

134
Sigal

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi në Mat këtë të mërkurë kandidatin e Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Skënder Gjuci. 

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se fitorja e kandidatëve të opozitës është fitore e një Shqipërie që nuk e pranon regjimin.

“Sot ne jemi mbledhur këtu për ti shprehur besimin tonë, kryetarit tonë të ardhshëm të bashkisë së këtij qyteti, qytetarit të parë të Matit, Skëndër Gjuci. Me 14 maj qytetarët e Matit dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar të votojnë, të shprehin besimin e tyre për kandidatët që ata vlerësojnë më shumë. Në këtë kontekst unë dua të theksoj se kandidatët që paraqesim kësaj here si aleanca ‘Bashkë Fitojmë’ janë kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, që nuk emërohen nga kryetari apo kryesia e PD-së, por që janë përzgjedhur dhe votuar nga ju, dhe ju garantoj se kjo është norma, standardi më i avancuar i lirisë për një forcë politike. 

Kjo është mënyra më e përgjegjshme, më transparente për të vendosur në drjetim në qeveri vendore, parlament, parti njerëzit që ju vlerësoni më shumë. Një vit e gjysëm më parë dhe në këtë sallë dhe në çdo takim, demokratët kishin një kërkesë; ti emërojmë ne dhe të mos na i emërojë kryesia e partisë në Tiranë, përfaqësuesit tanë.  

Jam i kënaqur që vij këtu sot para jush me këtë kërkesë legjitime plotësisht të plotësuar. Çfarë do përpjekje që u bënë unë ju garantoj ju se kam qëndruar në anën tuaj dhe tek po vija lexova mesazhin e një demokrati, i cili më falënderonte, më tha se; u tregove stoik për primaret dhe na nderove ne si demokratë. 

Kjo është e vërteta, ishte si një praktikë e parë, një praktikë që u zhvillua në mënyrë të shkëlqyer, në të cilën ju treguar një shkallë të lartë politike, formimi politik, një vlerësim të madh për lirinë dhe sot ne shkojmë ballë hapur para të gjithë zgjedhësve, demokratë, socialistë, pa parti, me Skënder Gjucin, Bedri Hoxhën, Ismail Ukën dhe me çdo kandidate dhe kandidat në Shqipëri. 

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka, natën ditë, të derdhim djersë dhe të sakrifikojmë për të mbrojtur vlerat e kandidatëve tanë, për të promovuar kandidatët tanë, për të bërë gjithçka për fitoren e tyre. Fitorja e tyre është fitore e lirisë, është fitore e gjithsecilit prej jush, është fitore e idealeve tuaja, e një Shqipërie që nuk pranon monizmin, e një Shqipërie që beson tek vetja dhe e ardhmja”, u shpreh Berisha.