Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, ka veçuar një tjetër fakt nga samiti i Edi Ramës për Ukrainën.
Sipas Berishës, në deklaratën e samitit, padroni dhe argati Rama dhe Vuçiç nuk shqipëruan njëherë të vetme fjalën sanksione ndaj Rusisë
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Është e hidhur miq, që në deklaratën e sotme të samitit, padroni dhe argati Rama dhe Vuçiç, nuk shqipëroi njëherë të vetme fjalën sanksione ndaj Rusisë.
Nuk shqipëroi një herë të vetme fjalën rrezik rus për Ballkanin.
Nuk shqipëroi një herë të vetme emrin e barbarit Vladimir Putin.
Miqtë e mi, të lëshosh një komunikatë me qindra e qindra fjalë dhe të mos guxosh të përmendësh njëherë barbarin Putin për agresionin e tij ndaj Ukrainës, është njëlloj sikundër të flisje për nazistët dhe të mos flisje për Hitlerin.
Po pse ndodh kjo?
Si ka mundësi që një komunikatë e publikuar nga krerë shtetesh dhe qeverish në kryeqytetin e një vendi të NATO-s, nuk guxon të thotë një fjalë të vetme, të përmende njëherë Vladimir Putinin, barbarin që urdhëroi sulmin mbi Ukrainën?
Arsyeja është vetëm një: në konferencë ishte Putini i vogël, ishte Aleksandër Vuçiç.
Dominimi i tij në samit ishte i papranueshëm.
Për vete ai nuk respekton sanksionet ndaj Rusisë. Përkundrazi, ka shndërruar Serbinë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë së Putinit.
Po mirë ai, po vendet e tjera, çfarë kishin që s’mund të përmendnin sanksionet ndaj Rusisë?
Kjo sepse mikpritësi i samitit, Edvin Rama, është argati i Vuçiçit dhe ata së bashku nuk lejuan të përmendej një herë të vetme fjala sanksione ndaj Rusisë, të përmendej një herë të vetme emri i Vladimir Putinit.
Qoftë si guxim për ta denoncuar siç e meriton, por edhe në respekt të mikut të shquar, i cili ka guxim dhe kurajo në emër të popullit të tij ta denoncojë atë si një barbar të vërtetë.