Berisha në Berat: Edi Rama njësoj si Enver Hoxha me emërimet e kandidatëve për bashkitë

96
Sigal

Duke komentuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për bashkitë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha, se Edi Rama veproi njësoj si Enver Hoxha.

Pjesë nga fjala në Berat e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Beratit të pranishëm në këtë sallë dhe mjediset e këtij pallati, në qytet, në Shqipëri dhe kudo që jeni.

Nderimin më të madh për ju, mirënjohjen më të thellë, urimet më të përzemërta.

Vij sot tek ju duke ju siguruar se nuk kam ardhur kurrë ndonjëherë më krenarë, më i lirë, para jush se sot, për të paraqitur kandidatin e PD-së, të zgjedhur me votën tuaj të lirë, me vullnetin tuaj, me besimin tuaj, doktor Zijain, njërin nga qytetarët më shembullorë, profesionistë më të apasionuar, njërin nga bijtë e shquar të këtij qyteti, i cili ka patur dhe ka një reputacion të merituar në qytet dhe rrethina.

Kam ardhur shumë herë, kam paraqitur kandidatura, por si doktor Zijai, asnjëherë, ai është i juaji. Është në besimin tuaj, në vullnetin tuaj, që me 14 maj ta vendosni atë si qytetar të parë të Beratit dhe ai do të kthejë bashkinë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Beratit.

Kandidatët e primareve, kandidatët e votës së lirë janë sot në këtë Shqipëri me të gjitha atë mirjadë problemesh, rreze shprese, burim drite, optimizmi, për qytetarët e këtij vendi.

Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku, diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet, ky ishte procesi, ky është procesi më mafioz, më antidemokratik, më jotransparent në historinë e Shqipërisë.

Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha, me byronë e tij politike. Ervin Dema është një klonim i kësaj kopje dhe unë e pyes këtu; Ervin cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për rikandidimin tënd.

Ervin se ti ke ardhur këtu nga bota akademike; çfarë të shtyu ty të injorosh të gjitha formimin akademik dhe të të bëhesh protagonist i mafies më të rrezikshme shtetërore të Europës. Si mund të rivalizosh ti, me një kandidat si doktor Zijai, që ka muaj që është zgjedhur, propozuar, që është votuar nga qytetarët, nga demokratët dhe mbështetësit e PD-së në Berat.

Të krahasosh këto dy kandidatura është si të krahasosh terrin, errësirën, me dritën, me ndriçimin.

Unë ju jap fjalën ju se, votimi juaj në 14 maj për doktor Zijain do të shndërrohet në një shërbim të madh për të gjithë qytetarët e Beratit. Alda tek hapi këtë takim tha se, ai që lind në Berat është me fat. Nuk ka fat më të madh se sa të jesh banor i këtij qyteti dhe këtij rrethi.

Pak ditë më parë po lexoja, njërin nga 50 vende më magjike të planetit, të mbarë botës, ishte Berati. Imagjinoni ju se çfarë krenarie është kjo për çdo banor, shqiptar dhe ju garantoj unë ju se doktor Zijai e nderon plotësisht dhe do ta bëjë Beratin ashtu siç e meriton, qytetin e ëndërrave më të bukura të të rinjve tanë, të fëmijëve tuaj.