Berisha mesazh anëtarëve të PD-së: Keni një votë, përdoreni pa u ndikuar!

381
Sigal

Teksa pak ditë nga ndajnë nga zgjedhja e kreut të ri të PD-së, lideri në detyrë i së djathtës Sali Berisha i ka dërguar një mesazh gjithë anëtarëve të PD-së. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, duke falënderuar anëtarët e PD-së anembanë vendit për pritjen që po i bëjnë dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, Berisha thekson se, falë tyre po ndërtohet një mekanizëm i ri i demokracisë brenda partisë. Kryeministri teksa ka bërë apel që të votohet pa u ndikuar për kreun e ri të PD-së thekson se të gjithë anëtarët janë të barabartë në këtë proces. “Të dashur miq, me këtë mesazh dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anëtaret dhe anëtarët e PD për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD. Kjo ka rëndësi kombëtare. Sot i tërë pushteti i PD qëndron tërësisht në votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore jemi me të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë. Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një votë. Me besim të plote në mençurinë, vullnetin, ndershmërinë tuaj ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheq më me siguri drejt fitores tonë të ardhme. Zoti ju bekoftë ju dhe Partinë Demokratike! Sb”, shkruan Berisha.

 Lulzim Basha-demokratëve: Së bashku do ta mundim Ramën sërish, si në 2011!

Nga Shkodra, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kujtuar kryesocialistit Edi Rama, se kush të ka mundur njëherë, të mund sërish. Duke prezantuar platformën e tij për drejtimin e PD, zoti Basha u ka kërkuar besimin demokratëve të Shkodrës, për ta nxjerrë sërish si në 2011 në opozitë Edi Ramën. “Rama na njeh mirë, nëse na ka harruar, do ia kujtojmë!Kushtë ka mundur një herë, di dhe do të mundë përsëri. Sot, ndodhem para jush, në këtë moment të veçantë, i përulur para kontributit tuaj historik, për t’ju drejtuar në përballjen tjetër me kryesocialistin, përballje që do ta fitojmë, për ta nxjerrë edhe njëherë në opozitë dhe për të rikthyer në pushtet Partinë Demokratike të Shqipërisë”, – theksoi z. Basha. Pika kryesore e platformës së zotit Basha është vlerësimi i kontributit të anëtarëve të PD, që nga anëtari i parë e deri tek anëtari më i ri dhe përfshirja e anëtarësisë në vendimmarrjen e saj. “Nuk ka arsye se pse, ne guxojmë të hedhim hapin historik të zgjedhjes së kryetarit të PD, në sistemin “një anëtar-një votë” dhe të ngurrojmë që ta përdorim votën dhe mendimin e anëtarëve të PD, për çdo vendim këtej e tutje në PD. Partia Demokratike do të njohë dhe kthejë në vlerësim kontributin historik të çdo anëtari të PD”. Duke sjellë në vëmendje se si maxhoranca e re, çdo ditë po tregon se premtimet e saj ishin vetëm mashtrime, zoti Basha u ka kërkuar demokratëve, që të bashkuar të ndërtojnë platformën e tyre, për të marrë së shpejti në dorë qeverisjen e vendit. “T’ju kujtojmë ditë për ditë zullumqarëve se kanë ardhur në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune dhe kanë filluar të projektojnë pushime masive të shqiptarëve nga puna, për t’i zëvendësuar ata me militantë, erdhën në pushtet duke premtuar heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe vënien në përdorim të taksës progresive, por që dje filluan të thurin vargje për taksën e sheshtë të Sali Berishës. Sot, qytetarët shqiptarë presin dhe kanë të drejtë të presin siç kanë pritur dhe s’i kemi zhgënjyer asnjëherë, alternativën e re qeverisëse të Shqipërisë”, – u shpreh z. Basha, i cili, njëkohësisht,ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike edhe në Fushë – Arrëz, Pukë, Vau i Dejës dhe në Bushat. Basha u ka deklaruar demokratëve se PD do të jetë në qendër të një opozite të gjerë përballë “rilindjes” së mashtrimit.

   Sokol Olldashi: PD-ja duhet të zgjerojë Kryesinë, në vendimmarrje edhe Kryetarët e rretheve”

 Sokol Olldashi kërkoi që kryetarët e degëve në rrethe të jenë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kjo strukturë e vendim-marrjes- tha Olldashi duhet të zgjerohet për të kthyer përfaqësimin politik tek baza e partisë. Kjo do të thotë që ne kemi nevojë të zgjerojmë kryesinë e përgjithshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Të kemi 36 kryetarë të degëve qendër rrethi- ex officio anëtarë të Kryesisë dhe shtuar këtyre një korpus anëtarësh, të cilët do të bëjnë kryesinë në tërësi. Nga ana tjetër kemi nevojë të ndërtojmë një korpus këshillimor apo një hallkë të ndërmjetme , jo vendimmarrëse , por këshilluese për Kryetarin dhe për Kryesinë. Pra një grup, i cili ka të gjithë eksperiencën e ndërtuar nga PD në 23 vjet dhe që e vë në funksion të drejtimit politik të partisë, u shpreh Olldashi. Këto deklarata, kandidati për postin e Kryetarit të Partisë  Demokratike, Sokol Olldashi i bëri në Tiranë gjatë takimit me strukturat e Grup-Seksionit të PD-së në Kombinat. Për të rritur efikasitetin ne strukturat e Partisë Demokratike dhe për të dominuar terrenin, Olldashi tha se, ndër të tjera është e nevojshme të bëhet inventarizimi i kontributeve të çdo anëtari si dhe te vendosen mekanizma përgjegjësish dhe mekanizma stimujsh. Kjo do të bëjë që e gjithë struktura të jetë në sinkron, dhe i gjithë ingranazhi nga anëtari i thjeshtë deri te kryetari i Partisë Demokratike të jenë në lëvizje të njëkohshme.